SITUATA E FËMIJËVE TË BRAKTISUR NË KOSOVË
Ilustrimi: Studio Permanent
Jemi mësuar shpesh të dëgjojmë në shoqërinë tonë se familja është e shenjtë, është institucioni ku fëmijët gjejnë ngrohtësi, dashuri dhe përkujdesje prindërore. Po ashtu, dëgjojmë për një model të caktuar të familjes, të përbërë nga dy prindër dhe fëmijët, këtu kryesisht flitet për prindërit biologjikë.
Mirëpo, familja ka trajta e forma të ndryshme dhe ajo mund të përbëhet edhe prej anëtarëve tjerë, jashtë atyre të mësipërm, ashtu siç në raste të caktuara, ky model i familjes nuk është domosdo çfarë njerëzit kërkojnë apo çfarë njerëzit mund ta përballojnë.
Prandaj, disa prindër heqin dorë nga fëmijët, akt që shpesh njihet si braktisje e fëmijëve. Raportet familjare, pabarazitë gjinore, shkurorëzimi, gjendja ekonomike, shtatëzanitë e padëshiruara apo paplanifikuara, mungesa e qasjes në planifikim familjar, martesat e padëshiruara, mënyra e jetesës radhiten si ndër arsyet më të mëdha që mund të çojnë në braktisjen e fëmijëve. Sipas raporteve të mirëqenies sociale të bëra publike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 janë braktisur gjithsej 11 fëmijë.
Në Kosovë, tash e disa vite ekzistojnë organizata e institucione, të cilat hapin dyert për ata/ato që kërkojnë mbështetje. Disa prej institucioneve të mandatuara për ofrimin e mbrojtjes për fëmijët e braktisur janë Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Qendra për Punë Sociale (QPS), gjykatat. Rol kyç luajnë familjet strehuese për fëmijët pa përkujdes prindëror, pastaj kujdesi familjar i bazuar në komunitet, agjencitë ndërkombëtare dhe organizatat jo-qeveritare (OJQ).
Një institucion i rëndësishëm në këtë çështje është QPS, që është përgjegjës për strehimin e secilit fëmijë pa përkujdesje prindërore. QPS regjistron familjet strehuese, të cilat pastaj marin nën përkujdesje fëmijët deri në adoptimin e tyre. Për t’u regjistruar si familje strehuese duhet përmbushur një sërë kriteresh, përfshirë, ndër tjera, vlerësimin profesional nga QPS, trajnimin, bashkëpunimin e vazhdueshëm me QPS, kushtet e banimit duhet të jenë të përshtatshme, familja nuk duhet të ketë dosje kriminale. QPS ndërmjetëson këtë proces dhe është përgjegjëse që vazhdimisht të sigurohet që mirëqenia e fëmijës të mbrohet.
Një rol të madh në këtë fushë e luan shoqëria civile. Një prej organizatave, që strehon fëmijët e braktisur dhe ofron shërbime të tjera është SOS Fshatrat e Fëmijëve – Kosovë. SOS është aktive në fushën e të drejtave të fëmijëve duke i mbështetur nevojat e tyre që nga viti 1999. Që nga themelimi, SOS Fshatrat e Fëmijëve kanë ofruar kujdes dhe mbrojtje përmes formave të ndryshme për rreth 2,500 fëmijë. Ora Bytyçi, drejtore e programit në Fshatin e Fëmijëve, thotë se përmes programeve të fuqizimit të familjes adresohen faktorët e rrezikut të cilët çojnë drejt humbjes së kujdesit familjar. Programi i fuqizimit të familjes është i përbërë nga pakot e shërbimeve të dizajnuara që të përkrahin familjet në marrjen e përgjegjësive për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve të tyre.
“Njësia për Nëna dhe Fëmijë ofron shërbime mbi parandalimin e braktisjes së fëmijëve përmes përkrahjes së nënave të reja me foshnjat e tyre. Kjo njësi ka për qëllim përmes shërbimit të ndihmojë në ndërtimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve të ndërvarura mes nënës dhe fëmijës, si dhe fuqizimin e nënës për vendimmarrje dhe jetë vetëmbajtje në mënyrë që nëna mos të braktisë fëmijën e saj”, ka thënë Bytyçi. Sipas saj, të gjithë fëmijët në Programin e SOS Fshatrave të Fëmijëve, kanë të drejtë në edukim cilësor përkatës, i cili përkrah procesin zhvillimor të tyre dhe fuqizon shkathtësitë e tyre potenciale.
Aktivitetet edukative janë thelbi i ofrimit të shërbimeve cilësore për grupin e synuar. Bytyçi po ashtu ka bërë të ditur se ofrojnë kujdes afatgjatë për fëmijë dhe të rinjtë pa kujdes prindëror. “Njëra nga format e kujdesit është kujdesi në SOS Familje, ku SOS Nëna dhe SOS Tezja përkujdesen 24 orë për pesë fëmijë në një SOS Familje. Në SOS Fshatrat e Fëmijëve janë tetë SOS Familje, të cilat ofrojnë kujdes. Momentalisht nga SOS Nënat dhe SOS Tezet në SOS Familje marrin kujdes katër fëmijë dhe të rinj pa kujdes prindëror. Jeta dhe kujdesi në SOS Familje nuk dallon nga familjet e tjera në komunitet”, ka shtuar ajo.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm për kujdesin ndaj fëmijëve të braktisur është edhe rregullimi i procesit të adoptimit. Sipas Vebi Mujkut, i cili deri në korrik 2023 ishte drejtor në Qendrën për Punë Sociale në Prishtinë, adoptimi paraqet formën e mbrojtjes së përhershme për fëmijët pa kujdes prindëror e të braktisur, në rastet kur kthimi apo kujdesi në familjet e tyre biologjikë është i pamundur. “Kryesisht fëmijët vendosen ne adoptim brenda një periudhe 12 deri 24 muaj pas braktisjes”, thotë Mujku, i cili ndan disa hapa që duhet të ndërmerren për të bërë kërkesë për adoptim.
Së pari duhet bërë kërkesë pranë Gjykatës Themelore të komunës së caktuar, lëndë kjo që shkon pastaj në QPS, e cila kontakton palët dhe fillon me intervistim. Aty caktohet një menaxher i rastit brenda QPS, që ndihmon në dhënien e informacioneve të duhura për kompletimin e dokumentacionit përkatës. Po ashtu, ngjashëm me rastin e familjeve strehuese, prindërit adoptues po ashtu duhet të përmbushin disa kritere që lidhen me gjendjen e tyre financiare, shëndetësore, edukimin, të kaluarën kriminale. Nëse mundësohet adoptimi, fillimisht është një periudhë para adoptuese tre-mujore për të parë se sa po përshtaten dhe në rast se nuk po përshtaten atëherë mund të ndërpritet adoptimi. Faza e adoptimit duhet të mbikëqyret për një vit me dy-tri vizita nga punëtori social i QPS.
Edhe pse ka pasur një stigmë e paragjykim rreth adoptimit, Mujku thotë se përshtypjet kanë ndryshuar. “Ka një rritje enorme të kërkesave për adoptim të fëmijëve në gjithë Kosovën edhe në Prishtinë”, thotë ai.
Ndërkohë, teksa vërehet një klimë më e hapur dhe pranuese ndaj adoptimit, ka punë për t’u bërë kur është fjala për shkaqet që i detyrojnë disa prindër t’i braktisin fëmijët. Fillimisht, është e rëndësishme që institucionet të mobilizohen në çrrënjosjen e varfërisë dhe pabarazive gjinore, sigurimin e mirëqenies për prindërit e rinj, me fokus te nënat vetëushqyese, fuqizimin e mekanizmave që ndalojnë martesat e padëshiruara dhe sigurimin e qasjes në informata e mjete, që lidhen me të drejtat riprodhuese e seksuale dhe planifikim familjar.
Mbi autoren: Vlera Thaqi, 22-vjeçare nga Gjakova, vijon studimet për juridik në Universitetin
e Prishtinës.