BAMIRËSIA SI MJET MARKETINGU
Ilustrimi: Studio Permanent
Bamirësia është një vlerë universale njerëzore, një nga atributet më të rëndësishme të shoqërisë. Ajo ka të bëjë me humanizmin dhe ndjeshmërinë, afërsinë dhe solidarizimin, mbështetjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët/at. Mediat sociale po luajnë një rol të madh në mënyrën se si koha, paratë, burimet dhe ndërgjegjësimi po përhapen në botë sot për të ndihmuar personat në nevojë. Duke i shfrytëzuar rrjetet sociale ne kursejmë kohën tonë dhe kemi mobilizim më të shpejt, por mediat sociale janë bërë edhe mjeti përmes të cilit përdoret bamirësia si mjet marketingu.
“Bamirësia e vërtetë nuk ka nevojë për kameramanë, reportazhe, foto dhe dekorata studiosh televizive për heroizmat e mëdha”, thotë gazetari Mentor Kika. Në kohën bashkëkohore kemi mediatizëm të bamirësisë, në kuptimin që shpeshherë bëhet ‘show’ dhe marketing me mjerimin dhe fatkeqësinë e tjetrit/ës. Humanizmi është shndërruar në një mjet promovimi i vetes, grupeve apo organizatave të caktuar, ndërsa mediat dhe rrjetet sociale janë “arena” ku promovimi bëhet publik. Individë, grupe të ndryshme apo organizata të caktuara çdoherë e më shumë janë duke përdorur “lotin” e të tjerëve në kushte të mjerueshme për të pastruar vetveten. Promovimi personal përmes akteve të bamirësisë është akt i shëmtuar pasi që nënkupton tallje me fatkeqësinë e tjetrit. Imazhet dhe fotot të cilat publikohen në rrjete sociale apo në media të “humanistëve”, me fëmijët e varfër, gjysmë të zhveshur (nga mungesa e rrobave) të pangrënë, janë një prej mënyrave se si bamirësia e shfrytëzon median që të tërheqë donator apo anasjelltas se si media e shfrytëzon bamirësinë që të tërheq shikueshmëri, ndjekës apo më shumë reklama.
Në një intervistë të realizuar me sociologun Labinot Konushefci ai thotë se “Bamirësia aq sa mund të jetë humane, mund edhe të keqpërdoret dhe instrumentalizohet në forma marketingu e ideologjie. Njerëzit bëjnë marketing për arritjen e qëllimeve të ndryshme profitare, personale, karrieriste, kapitaliste, politike, por bamirësia shpesh përdoret për krijimin e një identiteti human të pranueshëm në shoqëri. Nëse marketingu bëhet për qëllime humane, të promovimit të humanizmit dhe nxitjes së bamirësisë, kultivimit të bamirësisë si vlerë, kjo është e pranueshme. Por ajo shpesh keqpërdoret për qëllime përfituese, që të promovohen individë, fondacione, organizata e biznese të caktuara, në mënyrë të pamerituar”.
Organizatat bamirëse apo iniciativat individuale humanitare e kanë bërë të zakontë shfaqjen e çdo aktiviteti në rrjetet sociale, madje mediat sociale janë bërë mundësi të arta që çdokush varësisht ç’farë dhuron (qoftë edhe gjëra shumë të vogla) ndaj personave në nevojë mund ta bëjë publike. Etja për mediatizëm, protagonizëm dhe për heroizëm bën që njerëzve të varfër tu merret çdo lloj dinjiteti. Shfaqja e imazhit të fëmijëve pa lejen e familjes apo vetëm për të arritur një nivel të shikueshmërisë është dhunim i të drejtave të fëmijëve dhe denigrim i dinjitetit njerëzor. Organizatat apo iniciativat që kanë për qëllim bërjen e bamirësisë, si mjet të tyre përdorin fotografi/video apo lajme. Fotografitë/ videot në rrjetet sociale mund të ndikojnë në qëndrimet dhe sjelljet e audiencës varësisht se çfarë reflektojnë ato, trishtim apo lumturi, ato krijojnë emocionalitet tek audienca virtuale. Ashtu si fytyrat e trishtuara, edhe fytyrat e lumtura ndikojnë në tërheqjen e ndjenjave të njerëzve. Imazhet që përcjellin shqetësim rrisin tek njerëzit emocione siç janë faji dhe trishtimi. Impulsi për të shmangur emocionet negative si faji i shtynë njerëzit që të dhurojnë para apo gjëra material që të shuajnë ndjenjat e pakënaqura. Publiciteti i cili bëhet duke përdorur fëmijët është ndikues tek audienca dhe ndihmon në mbledhjen e fondeve në mënyrë më të shpejt, në formën që njerëzit kur shikojnë fëmijë të lumtur pasi kanë pranuar një shtëpi apo një ndihmë që është bërë karshi tyre, kur shikojnë entuziazmin dhe lumturinë e tyre ata ndihen më të vullnetshëm për të ndihmuar dikë ndërsa fëmijët e trishtuar reflektojnë tek njerëzit dhimbje dhe trishtim, rrit emocionalitetin e tyre karshi ndihmës humanitare.
Në një pyetësor të realizuar nga unë, të cilit iu përgjigjën 50 respodentë (qytetarë/e të Kosovës) ata mendojnë që kemi keqpërdorim të bamirësisë nga mediat sociale dhe jo vetëm. Shumica e respodentëve kanë qenë ‘pre’ e thirrjeve të pavërteta për bamirësi nga mediat sociale, ndërsa një pjesë e vogël e respodentëve konsiderojnë që thirrjet për bamirësi që bëhen përmes mediave sociale kanë për qëllim vetëm shikueshmërinë, ndjekësit dhe reklamat. Përqindja më e madhe e respodentëve u përgjigjën se ndihmojnë shumë shpesh persona në nevojë përmes rrjeteve sociale, po ashtu treguan edhe disa prej mënyrave që ata i përdorin, disa nga përgjigjet e respodentëve ishin; “E kam shpërndarë lajmin në profilin tim zyrtar apo tek miqtë e mi. Kam bërë një status në Facebook duke shpjeguar situatën shëndetësore të mikut tim, dhe kam bërë thirrje për ndihmë’ apo ‘Kam dërguar të holla në xhirollogarinë e familjes nevojtare menjëherë pasi kam parë në Instagram se kanë nevojë për gjëra ushqimore”.
Si përfundim në kohët bashkëkohore kemi digjitalizim të bamirësisë dhe përdorim të saj si mjet marketingu. Keqpërdorimi, shfrytëzimi dhe promovimi i bamirësisë që zhvillohet në mediat sociale është dukuri e cila po ndodhë nga persona apo grupe të caktuara me qëllim të përfitimeve personale, fitimprurëse.
Mbi autoren: Blerta Zagragja- sociologe e diplomuar në nivelin bachelor, njëkoësisht studente në nivelin master në departamentin e Sociologjisë.
Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit