(MOS) ANGAZHIMI I RINISË NË VENDIMMARRJE NË KOMUNËN E PEJËS
Ilustrimi: Studio Permanent
Angazhimi i të rinjve dhe të rejave në procese politike dhe vendimarrëse është thelbësor në formulim të politikave të sotme dhe të së nesermes. Pjesëmarrja gjithëpërfshirëse nuk është vetëm një e drejtë themelore politike dhe demokratike, por është gjithashtu thelbësore për ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme dhe paqësore dhe zhvillimin e politikave që u përgjigjen nevojave specifike të brezave të rinj, sipas The ACE Electoral Knowledge Network. Që të rinjtë të përfaqësohen në mënyrë adekuate në institucionet politike, proceset dhe vendimmarrjen, e veçanërisht në zgjedhje, duhet të njohin të drejtat e tyre dhe t’u jepen njohuritë dhe kapacitetet e nevojshme për të marrë pjesë në mënyrë kuptimplote në të gjitha nivelet.
Angazhimin i rinisë në procese të vendimmarrjës e rrit shkallën e demokratizimit të vendit dhe po ashtu ofron mundësi për decentralizimin e pushtetit në shumë mënyra. Për më shumë angazhimi në këto procese u mundëson rinisë të krijojnë të përvoja të veçanta, të cilat mund të u shërbejnë edhe në të ardhmen. Hulumtimet tregojnë se të rinjtë dhe të rejat të cilëve u ofrohen mundësi dhe mbështetje për të marrë pjesë në vendimmarrje kanë më shumë gjasa të kenë vetbesim, të bëjnë zgjedhje pozitive në karrierë dhe të kenë përfshirje dhe përgjegjësi më të madhe në të ardhmen.
Megjithatë në Kosovë shpesh e dëgjojmë vetëm frazën ”rinia është e ardhmja jonë”. Por se sa në të vërtetë rinia trajtohet si e tillë, dhe sa ka mekanizma dhe mundësi për ta që të kontribuojnë në vendin e tyre, është një çështje tjetër në vete. Realitet ky që dallon shumë nga komuna në komunë. Derisa në vendet e zhvilluara, hulumtimet tregojnë se ka një trend rritës të angazhimit të rinisë në procese të vendimmarrëse, i njejti trend nuk reflektohet në vendin tonë. Shpesh të rinjtë dhe të rejat janë të privuar nga e drejta ose të shkëputur nga proceset politike, duke bërë kështu një pjesë e konsiderueshme të popullsisë në Kosovë të ketë pak ose aspak zë ose ndikim në vendimet që ndikojnë në jetën e tyre drejtëpërdrejt.
Sipas një hulumtimi nga Instituti Demokratik i Kosovës, i realizuar ne vitin 2018, me titull “Raporti i hulumtimit të opinionit: Lidhur me qëndrimet dhe sjelljet e votuesve te rinj” tregon se një nga dhjetë të rinjë është angazhuar një herë në procese politike ndërsa vetëm një në pesë të rinjë është angazhuar më shumë së një herë në procese politike.
Ndër shkaktarët që kontribuojnë në mos angazhim dhe mungesë së perspektivës së rinisë kosovare sipas një editoriali me titull “Rinia në vendimarrje” të Drita Dibranit, të publikuar në D4D, janë “mungesa e perspektivës ekonomike, pasiviteti politik dhe mungesa e integrimit dhe sensibilizimi organizativ, moral e social. Atribut në këtë kontrast social është edhe mungesa e horizontit politik në këtë fazë kyçe, sikundër edhe luftërat në mes të gjeneratave”. Kur kjo mungesë vërehet në nivelin qëndror, e më pas përkthehet në politika lokale, aty edhe më shumë del në pah zbrazëtia dhe nevoja për ndryshime rrenjësore.
Situatë e ngjashme është edhe në Komunën e Pejës, megjithëse sipas Drejtorës për Kulturë, Rini dhe Sport në Pejë, Xheneta Syka, është duku u punuar intensivisht në këtë sektor dhe se janë duke u krijuar mundësi për rininë. Ajo thekson se ka projekte të cilat do të funksionalizohen dhe ndihmojnë rininë.
“Kemi investuar në hapësira publike (infrastrukturës) dhe angazhimin në punë vullnetare”, thotë Syka. Ajo theksoi projekt e fundit YLM (youth leading municipality) të cilin e kanë bërë së bashku me disa organizata ndërkombëtare.
Përkundër kësaj, nuk vëreht ndonjë përmirësimin në terren. Madje edhe Këshilli i Rinisë, duket të jetë jofunksional dhe anonim. Për më shumë, nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për përfshirje të rinisë në proceset formale në Komunës sic shihet nga degjimi i fundit publik në gusht 2022 ka pasur mungesë të rinisë nga 70 pjesmarrës kanë qenë vetëm 3 të rinj/reja po ata kanë përfaqësuar organizatat e tyre dhe nuk kanë shtruar asnjë kërkesë për rininë.
Aktualisht Kuvendi Komunal i Pejës është anonim ne uebfaqen e Komunës nuk asnjë të dhënë se cilët janë anëtarët e këtij kuvendi. Nuk dihet se kush e përfaqëson qyteraret Pejan.
Për gjendjën e Rinisë në Komunën e Pejës diskutuam me Organizatën Jo-Qeveritare Syri i Vizionit në Pejë e cila është krijuar nga të rinj/rejat e Pejës dhe si pjesë fushë-veprimit tyre kanë Rininë. Sipas Naser Lajçit, projekt menaxher në këtë Organizatë tregon se “ka investime në infrastrukture por ka mungesë të një analize të detajuar për perdorimin e këtyre qendra të cilat duhet të jenë të harmonizuara me kërkesat e Tregut të Punës”. Ai tregon se si organizatë në mënyrë vetanake kanë investuar në shkollimin profesional në Komunën e Pejës gjithmonë duke e lidhur me tregun e punës. Duhet të investohet në kampanja digjitale dhe të ofrohën broshura që Rinia të njoftohët më mundësit qe i kanë.
Mbi autorin: Eris Hasanaj është student në Universitetin e Prishtinës në departamentin e Shkencës Politike.