DODONA E VITEVE TË ’90-TA – SINONIM I MBIJETESËS DHE REZISTENCËS KULTURORE
Në rrethana të vështira e kohë të zymta të vitit 1987, u finalizua procesi për të filluar funksionimi i teatrit “Dodona”, i njohur atëherë si Teatri për të Rinjtë, Fëmijët dhe Kukullat, e cila ishte ngjarje mjaft e rëndësishme për artin në Kosovë. “Dodona” kishte rrugën e rezistencës me anë të artit.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Vitet e ’90-ta në Kosovë paraqesin një dekadë me zhvillime shumë të rëndësishme dhe kthyese në historinë e Kosovës. Çdo aspekt i jetës u ndikua nga gjendja politike mbizotëruese. Tendenca e përjashtimit të shqiptarëve nga jeta dhe institucionet publike kishte filluar qysh në vitet e ’80-ta, derisa kulmon me aparteidin e ndodhur gjatë viteve të ’90-ta. Jeta kulturore nuk mbeti pa u ndikuar nga situata e asokohëshme. Në rrethana të vështira e kohë të zymta të vitit 1987, u finalizua procesi për të filluar funksionimi i teatrit “Dodona”, i njohur atëherë si Teatri për të Rinjtë, Fëmijët dhe Kukullat, e cila ishte ngjarje mjaft e rëndësishme për artin në Kosovë. “Dodona” kishte rrugën e rezistencës me anë të artit.
Melihate Qena me nostalgji e kujton kohën kur “Dodonës” i duhej të mbijetonte, e vet ajo mbijetesë konsiderohej rezistencë. “Po unë me mish e me shpirt e kom majt atë teatër, kom dasht me majt atë teatër, megjithëqë unë s’kom zgjedhë punë unë, jo veç unë, as aktorët tjerë, s’kem zgjedh punë. Dodona ka qenë shpija jonë, kështu që, nuk e kem konsideru ata si institucion që duhet me shku e hekurosne edhe mi majt provat e me dalë, jo. Na sa herë e kemi pastru vetë skenën e kem pastru vet sallën e kem pastru vet. Kështu që, Dodona ka qenë shpija jonë nji vend ku na kem pas dëshirë me majt me çdo kusht”. Derisa duke e kujtuar një ngjarje të ndodhur në atë kohë, ajo i vë theks edhe solidaritetit midis njerëzve. “Tu nejt në byfe, tu bisedu për krejt problemet e teatrit, po vjen ni prind edhe i ka pru dy paketa t’mdhaja me bonbon, na po thojmë çka osht? po thotë: na e kem vetëshërbimin, djali jem si kërkon kurrë bonbonet në klasën e parë e ju që ia keni dhanë ato bonbona ai po flenë me to nër kry, meqë qaq shumë pi gzoni fmijtë, une i kom pru edhe dy paketa t’mdhaja. Kështu që, ka pasë shumë mirëkuptim shumë solidaritet shumë, normal krejt kjo ka ndodhë para luftës, para luftës veç ka qenë ni solidaritet i jashtëzakonshëm, ni mirëkuptim i jashtëzakonshëm mes njerëzve, na kanë ndihmu të gjithë dhe kështu kem mujt me mbijetu”.
Jeta kulturore e viteve të ’90-ta në Kosovë është rast shumë i veçantë. “Dodona” konsiderohet si foleja e rezistencës së asaj kohe. Armond Morina, aso kohe student në fakultetin e arteve i ndan kujtimet e tij nga ajo kohë. “Fenomeni i Dodonës në kohën e okupimit është një fenomen që duhet besoj mu kon unike në botë. Sepse në atë kohë shumë të errët ku aparteidi veç i ka pas marrë të gjitha institucionet, s’ka pasë kurgjo në gjuhën shqipe faktikisht ndodhi ai teatër në periferi i cili iu pshtoj masave të dhunshme edhe si teatër i të rinjve dhe kukullave filloi me funksionu, mandej profesori Begolli i cili e kish hap akademinë, aty filloi me i mbledh studentat sepse edhe prej fakulltetit na patën qitë atëherë edhe dalëngadalë as ne nuk e kemi mendu që Dodona ka me u shndërru në një institucion kulturor shumë domethënës në kohën e okupimit, ku çdo gjë ishte e mbyllur, televizioni u mbyll nacional, nuk kishte n’gjuhë shqipe, asgja nuk funksiononte në gjuhën shqipe, vetëm teatri Dodona funksiononte në gjuhën shqipe”. Sipas tij, të qenurit student e aktorë në vitet e ’90-ta ka pasë edhe vështirësitë e veta. “Ka qenë bukur e vështirë ajo periudhë ku ka pasë shumë kontrolla policore, udhëtimet kanë qenë tepër t’çuditshme, është shumë e çuditshme se ne kemi pasë kur shkonim n’shfaqje kishim postblloqe policore”. Për Armondin, “Dodona” ishte vatër e ngrohtë e cila nuk shuhej. “Ka qenë një teatër që nuk është mbyllë 24 orë, gja që ka pasë edhe aktorë nëse ka mbetë në një pjesë të qytetit e ska mujt me shku n’shpi, ka mujt me shku me flejt n’Dodonë, n’sallë t’leximit, naj qoshe, domethënë gjithmonë ka qenë dikush aty”.
Njëra nga të intervistuarat është edhe Arbnesha Grabovci, aktore e gjeneratës së parë të aktrimit. Për të, “Dodona” ishte përtej teatrit. Ishte vendi i saj i shpresës dhe i paqes. “Dodona ishte streha jonë e vetme ku me artin tonë komunikonim me publikun. Dodona ishte sy dhe vesh për të gjithë”.
Melihate Qena tregon për kohën se si ka bërë sakrifica ajo, mirëpo edhe të gjithë aktorët e tjerë në mënyrë që një shfaqje të luhet sepse në fund të fundit nuk ishte thjeshtë shfaqje e cila shfaqej përpara një publiku si pjesë teatrale, por brenda asaj shfaqje kishte edhe mesazhe të tjera që përçonin rrethanat edhe situatën e asaj kohe.
“Prandaj thojsha na pe trasojmë ni rrugë, besomni se kem me pasë edhe publik edhe të holla edhe krejt, mirëpo duhet durim edhe duhet me qëndru” është shprehur Melihate Qena. Ajo u besonte idealeve dhe kishte shpresë që një ditë gjërat do të rregullohen. Durimi ishte virtyti kryesor që ajo donte të përçonte.
Shkatërrimi i qëllimshëm i kulturës ka qenë gjithmonë një shenjë dalluese e konflikteve. Aktivizmi nëpërmjet artit është një praktikë e cila e përdorë fuqinë krijuese të artit për të sjellë në jetë ndryshime shoqërore.
Gjithë kjo histori e “Dodonës” e kthen atë në përjetim të veçantë, jo vetëm për aktorët dhe personat e lidhur direkt me të, por për gjithë rrjedhën kulturore të Kosovës. Ashtu siç e konsideron edhe aktorja Anisa Ismaili: “Thjesht Dodona është një botë në vete, është një fillim i një rrugëtimi artistik, një dashni që edhe sot e kësaj dite nuk harrohet, sikurse që i këndohet dashnisë së parë, ashtu unë e kujtoj këtë tempull të kulturës së asokohshme”.
Ky teatër pati një jehonë të madhe dhe konsiderohet si tempull që solli kthesë historike drejt emancipimit kulturor në Kosovë. Nën presion të jashtëzakonshëm nga regjimi i Milosevic-it, “Dodona” e vazhdoi punën e saj ndonëse në kushte aspak normale dhe të favorshme për aktivitetin e saj. U realizuan shumë shfaqje të cilat në kohët më të vështira për Kosovën përçuan frymën e rezistencës së bashku me shumë vlera të tjera kulturore.
Mbi autorën: Goneta Ademaj, 21 vjeçe nga Istogu ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës në degën e Sociologjisë.
——-
Ky grant është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit