PËREMRAT NEUTRAL PËR GJINI
Duke folur për shoqëri në shqip, vërej shumë terme të gjinorizuara që nuk do të ishin zgjedhja adekuate as për mua as për ata. Secili mbiemër që duhej ta përdorja ishte shumë i gjinorizuar sepse çdo mbiemër në shqip është ashtu dhe se përemrat they/them (në anglisht) nuk ekzistojnë në shqip. Ky është një problem për secilin person shqip folës që përdor përemrat they/them ose terme për gjini neutrale. Shumë persona genderqueer detyrohen ose të përdorin përemra e mbiemra që nuk ndihen rahat në ose të krijojnë terme të reja që përputhen me identitetin ose shprehjen e tyre gjinore.
Jo-binar është një term përfshirës për secilin person që nuk identifikohet vetëm si femër ose mashkull. Ka identitete të ndryshme nën këtë term, si agjinor, gjini fluide, genderqueer, dygjinor etj. Individët jo-binar nuk identifikohen me gjininë e caktuar në lindje, prandaj ky term hyn nën ombrellën për transgjinor.
Në artikullin e tyre të titulluar “10 mënyra për tu bërë aleat më të mirë për njerëzit jo binarë”, ku shkruajnë për respektimin e identiteteve jo-binare, Dylberizmi spjegon se “mos iu referoni një grupi të njerëzve me “zonja dhe zotërinj”, “çika e djem” apo “ai djali me të kuqe/ajo çika me të kuqe”. Mund të përdorni shprehjet si “njerëz”, “personat” apo “personi me të kuqe”.” Tutje ata shtojnë se “fjalët në gjuhën shqipe janë mjaft të gjinorizuara, andaj është më mirë t’i pyesim njerëzit për gjuhën që duhet të përdorim kur flasim me ta. Është më mirë ta pyesim dikë “Me çfarë përemri mund t’iu qasem?” se sa të supozoni gjininë e tyre.” (2020)
Përemrat më të përdorur në anglisht në mes njerëzve jo-binar janë they/them, nuk ka përkthim neutral për gjini neutrale për këto përemra në shqip. Komuniteti jo-binar është duke kërkuar përemra dhe terme që mund t’i përdorin të ndihen rehat përderisa flasin shqip. E gjithë shoqëria ime detyrohet të përdorin përemra të pasaktë gjatë bisedave në shqip për shkak të mungesës së gjuhës përfshirëse. Unë kam filluar të perdori përemrat Aj/Atë/Atyre, por shumë persona jo-binar nuk janë rehat të përdorin përemrin ‘aj’ për shkak se në dialektin geg tingëllon si ‘ai’.
Eri, një individ që përdor përemrat they/them në anglisht por ai/ajo në shqip thotë se “mungesa e termeve neutral për gjini në gjuhën tonë është diçka që të futë në një rreth të parehatshëm të përdorimit të përemrave të gabuar kur flet për veten dhe duhet gjithë kohës të matësh në cilën anë të spektrumit përket, gjë që për mua është e pashëndetëshme.”
Tutje, Veri, scepticalbutch në instragram, një individ që përdor përemrat they/them në anglisht por ajo/asaj në shqip tha që “përderisa unë përdori they/them në anglisht, është sfiduese të gjej përemra neutral për gjini në shqip dhe në gjermanisht sepse të dy këto gjuhë kanë problemin e njejtë: janë shumë të gjinorizuara në një mënyrë binare.
Në gjermanisht, komuniteti jo-binar ka propozuar përdorimin e dey/deren, ‘dey’ duke qenë referencë e ‘they’, dhe ‘deren’ duke qenë përkthimi gjerman për ‘their’. Këto përemra nuk janë të njohura zyrtarisht.
Për më tepër, Veri krijoi tabelën poshtë. “Pasi që përemrat emëror përfundojnë në ‘i’ (ai) dhe ‘o’ (ajo), unë besoj që duhet të krijojmë përmra neutral për gjini që mund të përfundojnë në zanore tjera si ‘a’, ‘e’, ‘u’. Ne duhet t’i përdorim përemrat neutral për gjini në njëjës. Gjithashtu mund të përdorim ‘x’, ‘y’, ‘z’ kur flasim sepse këto shkronja përdoren për të krijuar neopëremra.
Shembuj:
mashkullore: Ai shkon në shkollë.
femërore: Ajo shkon në shkollë.
neutr. versioni 1: Aje shkon në shkollë.
neutr. versioni 2: Ajy shkon në shkollë.
mashkullore: Telefoni i përket atij.
femërore: Telefoni i përket asaj.
neutr. versioni 1: Telefoni i përket adej.
neutr. versioni 2: Telefoni i përket adyj.
Si përfundim, përemrat neutral për gjini janë hapat e parë drejt një shoqërie më përfshirëse, ku njerëzit jo-binar dhe personat që përdorin përemrat they/them nuk kanë pse të përdorin përemra të gabuar kur flasin për veten për shkak të një gjuhe që është krijuar rreth dy gjinish. Gjithashtu, janë hapat e parë sepse gjuha shqipe dhe shumë gjuhë tjera, kanë nevojë për fjalë neutrale për gjini.. Unë dua që nipi im të më referohet mua as si ‘teze’ e as si ‘axh’ dhe dua të kem një fjalë për fëmijën e motrës/vëllaut tim në rast se më thotë që nuk është rehat me terme të gjinorizuara. Dua të flas për shoqërinë time jo-binare pa pasur nevojë të i ndërroj shqipen e anglishten dhe dua t’i tregoj njerëzve shqip-folës që përemrat neutral për gjini janë normale.
Po shkruaj me shpresë që njerëzit do të inspirohen të shkruajnë për perspektivat e tyre, t’i ndajnë idetë për përemra e terme neutrale për gjini dhe ta ndihmojnë komunitetin tonë që të mos kemi nevojë të përdorim përemra të gabuar.
Mbi autori: ERN, 23 vjeçar nga Kaçaniku, është shkrimtar jo binar, ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States