SHKOLLIMI I VAJZAVE NË KOHËN E PATRIARKATIT
Gjatë 3 viteve gjimnaz kishim plot peripeci, ndër të cilat edhe vështirësitë financiare, udhëtimi sidomos dimrit. Bënim 18km nga fshati për në qytet. Nganjëherë kur kishim mësim deri në ora 19:00 mbesnim pa shkuar në shtëpi, por fatmirësisht shkonim te daja në banesë.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Të shkruash për vetën, nuk është thjeshtë shkrim, por është një hapje e sirtarit të plagëve e qeshjeve, lumturisë e mërzisë, dëshpërimit a dorëzimit dhe shpresës e ngritjes prapë në këmbë. Historia e sukseseve të mia është këtu meqenëse jo me të gjitha detajet e të cilat shpresoj t’i ndaj me ju së shpejti. Si fëmijë kam qenë tip i mbyllur, e pashoqërueshme me të tjerët, por shumë e urtë, e kujdesshme dhe ambicioze. Kur te ne vinin mysafirë, thoshin: “Kjo çikë paska me u ba msuse ja doktoreshë”. Nuk e dija ende qëllimin e jetës time e as të karrierës, por ma merrte mendja se dëshiroja të bëhesha doktoreshë.
Meqë jetojmë në fshat, unë e kam pritur motrën 1 vit për të hyrë në një klasë me të, e shkollën 9 vjeçare e të mesmen e kemi kryer bashkë. “Kryje edhe qita 9 vjet, ni diplomë e merr si Lindita edhe rrin n’shpi” ishte fjalia e cila kur ma thanë mu duk sikur qielli ra mbi kokën time, aq tronditëse që ishte. Duke qenë në një shoqëri ku mbizotëronte patriarkalizmi e “burrnia” donin të na privonin nga e drejta e shkollimit por, prindërit i kishim pranë, e sidomos nanën që e para e ngriti zërin duke thënë: “Kto jon çikat e mia, une i kam rrit, i kom shkollu deri qitu edhe e kanë jetën përpara se s’du me e pas fatin e njejtë si une qe s’kom mujt me zgjedh për jetën teme”. Prindërit vendosën të na besojnë, vendosën të mos na e prishin të ardhmen e na i dhanë krahët.
Përsëri vendosa të jem me motrën në shkollë të mesme. U regjistruam në gjimnazin e shkencave shoqërore në Mitrovicë. Gjatë 3 viteve gjimnaz kishim plot peripeci, ndër të cilat edhe vështirësitë financiare, udhëtimi sidomos dimrit. Bënim 18km nga fshati për në qytet. Nganjëherë kur kishim mësim deri në ora 19:00 mbesnim pa shkuar në shtëpi, por fatmirësisht shkonim te daja në banesë.
Pavarësisht vështirësive, një ditë gjatë kohës kur ishim në gjimnaz do ta mbaj mend gjithë jetën time. Ishte e enjte e atë ditë kishte mbledhje me prindër, dhe babai shkoi në atë takim. Ishte ora 7 e mbrëmjes…Babi hyri në dhomë dhe te gjithë ngriteshim në këmbë si shenjë respekti për të. Isha shumë kureshtare ta pyes se çfarë i kishte thënë kujdestari dhe profesorët për ne.
Derisa ai po e hiqte xhaketën, i fola: “A u lodhe babi? Çka të tha kujdestari për neve ? Ai mu përgjigj: “Jo, jo nuk u lodha. Krejt prindërit kishin ardh sot në mbledhje. Kujdestari juaj m’tha: ‘I lumi ti o burrë çfarë çikash ke. Ka disa vjet që punoj n’gjimnaz dhe asnihere s’kom taku çika kaq t’zellshme, t’edukume e me vullnet për punë. Dashtë Zoti që të vazhdojnë qishtu. Lum ti çfarë fëmijësh ke rrit. Qofsh e dalsh faqebardhë’. Këto fjalë m’i tha, e falënderova shumë dhe dola jashtë. U ndjeva njeriu ma i lumtun n’botë. Çikat e mija edhe teshat e trupit nëse duhet kom m’i shit e kom me ju shkollu, ju veç msoni”.
Duke thënë këto fjalë nga sytë e babit rrodhën lotët dhe një buzëqeshje të lehtë ia pash në fytyrë. U ngritëm në këmbë dhe e përqafuam fort, duke qarë bashkë me të. Atëherë e kuptova se babi im e kishte kuptuar përnjëmend dhe nuk i kishte rënë pishman që kishte vendosur të na shkollonte. E pashë se babi ishte krenar me ne, e nga sytë e tij të gjelbër e shihja tek thoshte me vete: “Shyqyr që s’i kom nal çikat prej shkollës”. Personat që më parë e kundërshtonin vazhdimisht shkollimin tonë, kur mësonin se sa të zonjat ishim në shkollim, filluan edhe të na mbështesin financiarisht e të na përgëzonin për sukseset.
Kështu vazhdoi rrugëtimi drejtë shkollimit tim. Hoqa dorë nga mjekësia se nuk doja të kem karrierë me të, dhe ishte vendimi më i duhur i jetës time i cili do të ma ndryshonte jetën përgjithmonë. Ishte gjuha dhe letërsia frënge, gjuha e dashurisë dhe e diplomacisë e cila më hyri në zemër teksa mësonim gjuhë frënge si lëndë mësimore që e kishim, por edhe për autorët frëng që i mësonim në lëndën e letërsisë. Është frëngjishtja ajo cila m’i hapi dyert e sukseseve jo vetëm në vend e rajon, por edhe në botë.
Tash jam diplomate e re në fushën e diplomacisë kulturore e politike, në atë të mjedisit, të drejtave të njeriut e kafshëve, integrimeve evropiane e ndërkombëtare, teatrit e muzikës etj. Mbaj disa tituj në fushën e diplomacisë, ndër ta edhe Ambasadore për Paqe nga Federata Universale e Paqes me degë në Zvicër e që është një mision shumë i shenjtë për mua duke e marrë parasysh që në Kosovë por edhe në botë kemi nevojë për paqe e harmoni të qëndrueshme, të drejta e liri për të gjithë. Unë si diplomate e ardhshme, zotohem se do ta jap më të mirën nga vetja për ta bërë krenare familjen time që janë gjëja më e çmuar për mua, Kosovën dhe botën e do të punoj njëjtë për të gjithë e normalisht meritat s’do t’i shkelen askujt. Unë e motra jemi të parat vajza në gjenealogjinë e familjes tonë që na u dha e drejta për shkollim të mesëm e pastaj të lartë.
Ne tash shërbejmë si shembull për gjeneratat e ardhshme që të shkollohen e të mos ndalen asnjëherë nga realizimi i ëndrrave të tyre. Koha e vajzave që martohen ndoshta pa dëshirë herët, e të cilave iu mohohet e drejta për shkollim është dhe do mbetet gjithmonë e shkuar. E dua njerëzinë, e dua Kosovën.
Mbi autoren: Mihane Beqiri, 21 vjeçe nga fshati Bajgorë, Komuna e Mitrovicës, vijon studimet për gjuhë dhe letësi frenge.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States
This is my first visit to this blog. I am thinking about starting a brand new blog in the same category. Your site gave me some ideas to work with. (Dont worry, I wont be copying you :)) You have done a fantastic job.
I am using the ja_purity2 and have confined the template to the centre of the screen (much like the joomla website). Now I want to add a shadow on the left and right of the “confined” template/website but have no idea on how to do it.. Any help would be appreciated.. Thank You in advance..