“HERONJTË” E PANDEMISË ME PROBLEME SHUMË
Orari i tejzgjatur i punës, ngarkesat fizike dhe mendore, puna pa kontratë e shumë probleme të tjera përcjellin punën e punëtorëve/eve në marketet në vend. Përvoja e Edonës* është vetëm një prej rasteve që shpërfaq një realitet të dhimbshëm.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Të ashtuquajturit “heronj” të periudhës pandemike – punëtorët e supermarketeve në Kosovë – çdo ditë të punës së tyre ndihen të lënë pas dore. Punë pa kontrata, pagat “super” të ulëta, orari i “super” stërgjatur (sidomos gjatë festave), mosmarrëveshje me shefin e supermarketit (që as nuk e njohin ligjin e punës) e me konsumatorë të përditshëm (që harrojnë që këta punëtorë janë qenie njerëzore), janë disa prej problemeve parësore që secili punëtor i përmend, qoftë edhe gjatë një bashkëbisedimi “super” të shkurtër me ta.
Në hyrje të supermarketit ku kishim lënë takim për intervistë dëgjova zhurmën e skanerit në arkën ku Edona* po punonte. Pashë edhe radhën e konsumatorëve që po prisnin të paguanin. Prita derisa Edona kreu punë me të gjithë për të vazhduar pastaj me disa pyetje që ajo iu përgjigj me shumë kënaqësi, edhe atë në kohën e pauzës.
Si fillim, t’ju tregoj pak për Edonën.
Edona ka filluar punë në një nga supermarketet më të mëdha në Deçan tash e tre vite; fillimisht e mendoi si punë të përkohshme por që doli të jetë e kundërta. Ajo është prej punëtoreve më besnike, më të zellshme e më të shkathëta që numëron ky supermarket. Në punë është gjithnjë e saktë dhe nuk vonohet.
Për Edonën, puna si shitëse në supermarket është shumë e lodhshme, jo vetëm si punë fizike, por më tepër edhe mendore. Prej momentit që ajo fillon ndërrimin e saj të punës, komunikimet me konsumatorë dinë të jenë shumë të papërshtashme. Ajo tregon se si, shpeshherë, konsumatorët e ofendojnë me fjalë nga më të ulëtat, duke e akuzuar edhe për mashtrim.
“Ka konsumator/e që merr shumë produkte, e kur vjen te arka për pagesë më akuzon për vjedhje, duke pretendu që çmimi i produktit në raft nuk përkon me atë që shfaqet në skaner”, tregon Edona teksa thotë se gjithmonë mundohet t’ua bëjë të qartë që ajo nuk ka faj dhe se nuk mund t’i ndryshojë çmimet te arka e blerjes.
Raste të tilla janë gati të përditshme, e që shpesh ndikojnë shumë te ajo. E gjendur në të tilla situata, Edona mundohet të gjejë rehati kudo, qoftë edhe cepave të supermarketit.
“Nganjëherë mendoj me shku në një qoshe e me qajtë si fëmijë, deri sa t’më kalojë nervoza. Nuk ke qysh me shpëtu ndryshe prej situatave të tilla që gjithësecilit prej neve u shkaktojnë stres të madh. Fjalën konsumatorit nuk mundemi me ia kthy”, tha Edona teksa përfshin edhe të gjithë kolegët/et e saj.
Kur jemi te kolegët/et, prej gjërave më pozitive që mbizotëron në vendin e punës së Edonës dhe që ajo e vlerëson shumë është pikërisht koha e kaluar me ta. Ajo thotë se, pas kaq shumë vitesh punë në këtë supermarket, ka arritur të krijojë miqësi me secilin prej kolegëve/eve, një miqësi kjo që vazhdon edhe jashtë dyerve të supermarketit. Momentet më të mira i kalon gjatë pauzës së drekës (anipse veç 30 minutëshe), ku të gjitha shqetësimet e punës mbesin në prapaskenë, e krejt ngjarja vazhdon të zhvillohet në bufenë e supermarketit: historitë s’kanë të ndalur.
Koha për t’u kthy prapë te problemet në supermarket.
Kjo pauzë 30 minutëshe llogaritet për 8 orë punë, por jo domosdo, pasiqë oraret në këtë sektor janë më shumë si koncepte relative. Nga 8 shpesh bëhen 10 orë punë, ndërkaq koha e pauzës nuk ndryshon. Gjatë festave – si festa e bajramit apo vitit të ri – oraret janë vërtetë të stërgjatura. “2-3 ditë para festave lodhemi shumë pasiqë rritet numri i konsumatorëve përderisa numri i punëtorëve mbetet i njëjtë. I bie që ne të punojmë me dy orare, nga ora 8 e mëngjesit deri në 11 të mbrëmjes.”
Marrë parasysh këtë fakt, normalisht duhet të ketë edhe rritje në rroga, ose të paktën bonuse, por që vendi ku punon Edona nuk iu ofron asnjërën. “Në sezonë të verës gati të gjithë paguhen pak më shumë, kurse ne, pavarësisht se sa shumë punë kemi pasë, asgjë. Nuk jemi pagu hiç ma shumë, veç 200 euro”.
Mirëpo, nuk përfundon me kaq.
Ajo çka Edona mendon se duhet përmendur është problemi i kontratave se, fundja, çdokush ka qef që vitet e punës t’i numërohen si eksperiencë pune. Përderisa shumica e bizneseve lidhin kontrata me punëtorë, këta të fundit nuk e kanë këtë “luks,” e që veq luks nuk është. Vet ajo nuk ka kontratë pune, e as kolegët/et e saj. Rrogën e marin në një zarf të bardhë që mban emrin e tyre mbrapa. Do me thënë, si punëtorë të atij supermarketi, nuk gëzojnë të drejtat e plota të përcaktuara ligjërisht, qoftë edhe të drejtën për kontratë. Këtu bën pjesë edhe mungesa e sigurimit shëndetësor. Sidoqoftë, Edona tregon se kur ka pasur probleme shëndetësore gjatë orarit të punës, i është lejuar që të shkojë të kontrollohet, të marrë trajtimin e nevojshëm dhe të kthehet prapë në punë.
“Gjatë vitit të parë të punës nuk na ipet mundësia të kërkojmë pushim javor”, vazhdon rrëfimin Edona. Vetëm pasi ata përfundojnë një vit të plotë pune në këtë supermarket, u lejohet të kërkojnë një javë pushim në vit. Pa dashur të hamendësojmë e duke vlerësuar këtë që kemi përpara, duket se këta punëtorë duhet vërtetë ta meritojnë pushimin, para se ta kërkojnë atë.
Më e keqja është se në lidhje me problemet e tyre nuk kanë ku të drejtohen. Për ata që guxojnë të ankohen te punëdhënësit, ankesat e tyre hasin në vesh të shurdhër. Nuk kanë as ndonjë sindikatë të posaçme që mirret drejtpërdrejt me ta. E thashë “ata që guxojnë” ngase një pjesë e mirë e punëtorëve hezitojnë të shfaqin pakënaqësitë me frikën se do të mbesin pa punë. Në situatën e sotme ekonomike (sidomos gjatë pandemisë) – ku shumica e familjeve në Kosovë jetojnë në krizë të thellë – një rrogë sado e vogël e një punëtori në supermarket nuk mund të humbet. Pakënaqësitë e tilla Edona thotë se detyrohet t’i mbajë brenda vetes, në mënyrë që ta mbajë veten dhe familjen.
Dhe kështu, pasi u përshëndeta me të dhe po largohesha dalëngadalë, çdo hap që bëja disi më përkujtonte nga një brengë të Edonës si punëtore në supermarket. Është e tepërt, “super” e tepërt.
(Emri i përdorur në artikull është fiktiv. Për shkak të rrezikut të humbjes së vendit të punës, punëtorja e intervistuar nuk deshi t’i përmendej emri)
Mbi autorin: Rexhep Kamberaj, 21 vjeçar nga Deçani, vijon studimet për gjuhë angleze në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States