MËSIMDHËNËS NË SY TË TË GJITHËVE, NGACMUES NË SY TË VIKTIMËS
Ngacmimet seksuale që ndodhin në shkolla janë normalizuar. Janë aq të normalizuara sa që bëhet hajgare e nuk merren aspak seriozisht, si rezultat i një kulture shtypëse, ku paragjykimi dhe vetëdijesimi i ulët mbizotëron.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Një të hënë të zakonshme, nxënësit u rreshtuan në sallën e edukatës fizike dhe u përgatitën për këtë orë “atraktive”. Vajzat dhe djemtë veshën maicat e bardha dhe filluan orën. Profesori me shumë kërshëri shikonte vajzat e rreshtuara dhe iu tha: -“nisjani lojën e volejbollit, unë ju përmirësojë nëse boni gabime” duke qeshur. Nxënëset shikuan njëra-tjetrën me një ndjesi tashmë të njohur për secilën nga to. Shikuan njëra-tjetrën me keqardhje që edhe sot, si shumë orë të tjera, do të ndodhe e njëjta.
Loja e volejbollit filloi. Me pasimin e parë të topit, profesori ndali lojën, iu afrua nxënëses dhe i tha: -“nuk e ke gjujt mirë topin, nalu t’msoj qysh duhet”. Nxënësja pa pas mundësinë as me fol, u ndal me habi. Profesori me nguti i kapi dorën dhe demonstronte gjuajtjen.
Në një moment profesori hodhi dorën e tij në krahun e vajzës dhe filloi t’i jepte komente nga më të ndryshmet, me prekje dhe fjalë të papranueshme. Nxënësja nuk ndihej rehat, e kjo u vërejt edhe nga fytyrat e shoqeve të saj pas gjesteve jo të përshtatshme të profesorit. Vajza që kishte ëndërr të bëhej volejbolliste, tani do që të largohet sa më shpejtë nga ajo sallë. Një re sikleti kapi të gjitha vajzat aty, përderisa djemtë qeshnin bashkë me profesorin. Ata që ishin të vetëdijshëm se çka bënin, prapë se prapë vazhdonin të njëjtat veprime.
Kjo orë si të gjitha tjerat, mori fund. Por ishin frika, ankthi dhe ndjenjat e pasigurisë që do përcillnin vajzat në të ardhmen dhe vështirë do merrnin fund.
Secili/a nga ne besoj që kemi dëgjuar apo përjetuar raste të këtilla, e plotë të tjera të pa raportuara si rasti në fjalë. Shkolla, është një vend ku secili nga ne duhet të ndihet sigurt, rehat dhe vetvetja. Në fakt, këto raste tregojnë të kundërtën. Tregojnë shkollën si vend i abuzimeve e ngacmimeve të shumta. Tregojnë që edhe institucionet edukativo-arsimore i kanë prekur duart e ndyra te patriarkatit. Tregojnë që çerdhja e mësimit dhe edukimit ka marrë një kahje të kundërt nga misioni i tyre.
Pra, ngacmimet seksuale që ndodhin në shkolla janë normalizuar. Janë aq të normalizuara sa që bëhet hajgare e nuk merren aspak seriozisht, si rezultat i një kulture shtypëse, ku paragjykimi dhe vetëdijesimi i ulët mbizotëron. Madje edhe në protestën që u organizua nga shkollat e mesme të Prishtinës, e që ishte një protestë paqësore e me shumë rëndësi, kam dëgjuar komentet dëshpëruese të personave të pa vetëdijesuar e mentalitet shtypës.
Vazhdojmë të përballemi me informim të pakët ose fare hiq rreth edukimit seksual. Mungesa e edukatës seksuale përveç që shkakton konfuzion e keqinformim për personat që të kenë informatë të saktë lidhur me atë se çka konsiderohet si ngacmim seksual edhe çka jo, rezulton edhe në raportim të ulët të rasteve. Një person mund të jetë viktimë dhe të mos e dijë fare që kjo është ngacmim seksual, vetëm e di që kjo që po i ndodh, po i shkakton një parehati brenda. Madje, shumë shpesh viktimat nuk ndihen të sigurta të drejtohen në organet kompetente, pasi që rastet e tyre neglizhohen në çdo mënyrë të mundshme, e nuk do të bëjë ndonjë ndryshim. Ngacmuesi nuk do të marrë dënimin e merituar, siç është parë në shumë prej rasteve gjatë këtyre viteve.
Ngacmimi i një vajze të re në një shkollë, dëshmoi edhe njëherë që organet dhe personat e kualifikuar nuk i japin mjaftueshëm rëndësi e vëmendje të duhur këtyre çështjeve. Bisedat për ngjarje të tilla me të tjerë, sjellin në mendje edhe raste të tjera siç është rasti kur drejtori i një shkolle ka ngacmuar e prekur shumë nxënëse përgjatë një periudhe jo të shkurtër. E dënimi që ka marrë është vetëm suspendimi për një kohë. Duke dekurajuar kështu edhe më shumë viktimat që të raportojnë rastet e tyre.
Çdo ditë shohim se një person ka cenuar sigurinë dhe rehatinë e një nxënësi/e, e asgjë nuk bëhet për këtë çështje. Prandaj duhet që sa më parë të veprohet për parandalim të ngacmimeve seksuale nëpër shkolla dhe jo vetëm. Të ofrohen mundësi dhe vende të sigurta për raportim për personat që përjetojnë ngacmime seksuale, qoftë në formatin e këshillave në shkolla që shërbejnë si pikë për raportimin e rasteve të ngacmimeve seksuale dhe të ndërlidhura në shkollë. Të angazhohen psikologë e profesionistë të fushave sociale nëpër shkolla që kanë qasje miqësore me të rinjtë dhe të rejat. Të bëhen kampanja vetëdijësuese në të gjitha kanalet e komunikimit për të gjithë për parandalim të ngacmimeve dhe dhunës seksuale. Të ofrohen opsione të sigurta për raportim të rasteve edhe përtej shkollës.
Sa më shpejtë që veprojmë ne si shoqëri, aq më shpejtë shkolla do këtë sigurinë, ngrohtësinë e rehatinë që i mungon.
Mbi autoren: Rudina Bulliqi, 16 vjeçare nga Prishtina, vijon mësimet në shkollë të mesme.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States
I love getting some more disability benefits, especially because of my mental disorders.