MINUTAT PO ECIN
Edhe sa lajme, duhet me na paralajmëru e vetëdijesu, se gjendja është katastrofale, që minutat po ecin, që e kemi një kohë të limituar!? Edhe sa studime duhet me na njoftu që ne jemi duke e shkatërru vendin që jetojmë? Edhe sa kohë na duhet neve si njerëz me kuptu që tash e kemi shansin e fundit, që të ndërmarrim diçka pozitive e rrënjësore për ambientin ku jetojmë?
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Kisha një ditë stresuese, dola pak me ecë të qetësohem. Po kaloj rrugës, e po shoh çdo hap nga një grumbull të mbeturinave. I them vetes, “Çfarë njerëz, si nuk iu dhimbset ambienti ku jetojnë vet!?”. Por, e vërej që në atë rrugë, nuk është asnjë kosh i mbeturinave. Vazhdoj edhe pak me ec, duke i pas në sfond të zërit, zhurmën e vazhdueshme të makinave. I dëgjoj ca persona duke u kollit, prej tymit që kishte krijuar një re të zezë, e po dukej që donte ta ngulfate qytetin. Rrugës, nuk ka asnjë pjesë të gjelbërimit, as pemë, as drunjtë që pak të qetësojnë. Kur i shoh, me japin pak pozitivitet dhe pak shpresë.
Kthehem në shtëpi, e mërzitur prej gjendjes që e shoh edhe pse kjo pamje më është bërë përditshmëri, e nuk mu duk si diçka e re. Por, sa herë që e shoh, ma ulë edhe atë pak shpresë, që mund të përmirësojmë gjendjen. Sepse çdo herë që e shoh këtë gjendje, e kuptoj që asgjë s’po ndërron. Marr telefonin, për me lexu çka po ndodh, veç për me pa artikuj “Tokës i kanë mbetur edhe 50 vite, derisa nuk është shkatërruar plotësisht” ose “Prishtinës i është rritur në një nivel jonormal ndotja e ajrit”. E pyes veten, a thua këta njerëz, nuk i lexojnë fare këto lajme, artikuj, që gjithmonë e potencojnë rrezikun që po i kanoset së pari vendit tonë, që ne frymojmë çdo ditë, por edhe të gjithë planetit tonë.
Edhe sa lajme, duhet me na paralajmëru e vetëdijesu, se gjendja është katastrofale, që minutat po ecin, që e kemi një kohë të limituar!? Edhe sa studime duhet me na njoftu që ne jemi duke e shkatërru vendin që jetojmë? Edhe sa kohë na duhet neve si njerëz me kuptu që tash e kemi shansin e fundit, që të ndërmarrim diçka pozitive e rrënjësore për ambientin ku jetojmë?
Në Kosovë, ka një mungesë të madhe të vetëdijesimit për ndotjen e ngrohjen globale në përgjithësi. Kjo natyrisht fillon në shkolla, ku mungon një lëndë kualitative e edukimit mjedisor. Në shkollë, njëherë kemi pas në secilën klasë, 3 kosha për mbeturina, për me i nda mbeturinat sipas materialit të tyre. Por, si shkak i mungesës së informimit, sesi duhet me i përdor në mënyrë adekuate, nxënësit i kanë trajtu si kosha të zakonshëm të mbeturinave. Njëherë kam dëgju një nxënëse duke i thënë mësueses së vet, “Ku duhna me gjujt këtë kimik”, dhe ajo ia ktheu “Hajt veç gjuje në njonin, se njëjtë është”. Edhe pse, ishte një përgjigje mjaft e gabuar, nuk ishte krejtësisht e pasaktë. Në vendin tonë, nuk kemi ndonjë fabrikë që bën përzgjedhjen e materialeve të reciklueshme edhe të pa reciklueshme, kështu që në fund të ditës, mësuesja nuk e kishte keq, sepse edhe nëse në shkollë i ndajnë mbeturinat, ato përsëri kanë më përfundu në vend të njëjtë. Kjo më la me nënkuptu sesi janë të lidhura zinxhir këto probleme, që e pasojnë njëra tjetrën. Edhe në shkolla paraqitet problemi tjetër zinxhiror, sepse kur s’ka edukim adekuat për mjedisin, ata fëmijë kur rriten mund të bëhen qytetarë të papërgjegjshëm, që as nuk ju shkon në mendje për problemet që na vetë jemi duke ja shkaktu mjedisit e nuk janë të vetëdijshëm për këto pasoja. Sipas një raporti të vitit 2021, nga UNDP Pulse me pyetjen: “Sa janë të vetëdijesuar rreth kërcënimeve të mundshme mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe familjeve të tyre”, nga përgjigjet dolën këto statistika: “11.9% deklaruan vetëdijesim të plotë në lidhje me këto kërcënime, 70.7% deklaruan se kanë njohuri të vogla deri në mesatare rreth këtyre kërcënimeve dhe 17.4% deklaruan se nuk kanë njohuri në lidhje me kërcënimet e mundshme mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe të familjeve të tyre”.
Kjo gjendje që e kemi tani, po na kthehet si “boomerang”. Toka, planeti jonë, përmes djegies së pyjeve në Amazonë, në Shqipëri, SHBA, Turqi, vërshimeve në Evropë, shkrirja e akullnajave në Antarktik, sikur mundohet të na përkujtoj që gjendja që e kemi arrit është alarmante. Ne si qytetarë aktiv, banorë të Tokës, jemi ndër shpresat e fundit, që duhet të ndërmarrim masa urgjentisht. Të jemi qytetarë që i besojmë shkencës, e jo si disa, që ngrohjes globale i thonë “mit”.
Duhet që së bashku të ndërmarrim iniciativa dhe të mundohemi që ta rrisim vetëdijen, duke filluar në familjet tona, në shkollën tonë, shoqërinë tonë, komunitetin tonë e vendin tonë. Secili individ ka fuqinë, që këta minuta që po ecin, t’i shfrytëzojmë në të mirë të mjedisit, dhe të krijojmë ndryshime transformative në vendin tonë.
Mbi autoren: Era Thaqi, 16 vjeçare nga Prishtina, vijon mësimin në shkollë të mesëm.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States