Benefitet e daljes nga zona e komfortit
Vërej se në përshkrimet më të hershme kishte pak fjalë, ngaqë mënyra se si e kaloja ditën nuk ishte e veçantë. Kisha krijuar një rutinë, e cila ishte bërë zona ime e komfortit. Gjithherë kthehesha aty dhe refuzoja ta zgjeroja ose të dilja nga kjo zonë. Në të njëjtën kohë, isha e rrethuar nga individ inspirues e aktiv në komunitet dhe vazhdimisht kisha rastin të dëgjoja histori motivuese madje edhe oferta që të bashkëngjitesha, por pasiguria dhe frika që të ngrija zërin tim më kishin lidhur me zinxhir dhe nuk shkëputesha dot deri në një moment të caktuar.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Teksa jam ulur në tokë dhe lexoj ditarin tim, ku kam mbajt` shënime gjatë viteve t`kalume reflektoj mbi formësimin tim. Kujtoj çdo mundësi që kam kapur, përfitimet e shumta nga secila përvojë dhe e urrej veten për mundësitë që i kam lënë të më kalojnë përpara fytyrës e të më ikin nga duart për shkak të pasigurisë.
Vërej se në përshkrimet më të hershme kishte pak fjalë, ngaqë mënyra se si e kaloja ditën nuk ishte e veçantë. Kisha krijuar një rutinë, e cila ishte bërë zona ime e komfortit. Gjithherë kthehesha aty dhe refuzoja ta zgjeroja ose të dilja nga kjo zonë. Në të njëjtën kohë, isha e rrethuar nga individ inspirues e aktiv në komunitet dhe vazhdimisht kisha rastin të dëgjoja histori motivuese madje edhe oferta që të bashkëngjitesha, por pasiguria dhe frika që të ngrija zërin tim më kishin lidhur me zinxhir dhe nuk shkëputesha dot deri në një moment të caktuar.
Pasi përfundova klasën e 9-të, vijova mësimet në gjimnazin e shkencave natyrore “Sami Frashëri”. Ishte një sfidë në vete. Duhej të adaptohesha me ambient e rreth të ri. Do të kaloja çdo ditë me njerëz krejt` t`panjohur. E si barrierë që më pengonte të ballafaqohesha me këtë situatë u bë pandemia që u shkaktua nga COVID-19. Mësimi online nuk ishte aspak atraktiv. Teksa mbahej ligjërata unë humbja në mendimit e mia dhe kthehesha e frustruar në realitet. Kisha kohën e bollshme që të reflektoja mbi periudhën që kisha kaluar në shkollë. Ne mësonim shumë teori komplekse e pak praktikë që mund të lidhej me jetën reale. Ishim gjithnjë të fokusuar vetëm në mësim, e asnjëherë në aktivitete që mund të zhvillonin më tej mentalitetin tonë.
Një mëngjes, përderisa isha duke punuar në një projekt, mami im më ftoi t`i bashkëngjitesha në një takim. Aty diskutohej për një shkollë, e cila po ofronte bursa. Teksa dëgjoja se çka ofronte shkolla dhe mundësitë, diçka brenda meje u ndez. Pas takimit, u futa menjëherë të lexoja edhe më shumë dhe vendosa që të sfidoj veten. Aplikova për bursën. Kisha dyshime në potencialin tim dhe nuk kisha ndonjë pritshmëri, por e vlerësova se ja vlente ta provoja.
Rrugëtimi për te bursa kishte 3 sfida dhe ato i ndante 1 muaj nga përgjigjja finale. Kishte kaluar ca kohë dhe e kisha harruar datën se kur do të njoftoheshin fituesit e bursës. Në një ditë të zakontë më erdhi një email. Ndryshe nga dyshimet e mija, kisha arritur që t’i përballoja të gjitha ato sfida me sukses. Kisha fituar bursën! Ishte një përjetim krejt ndryshe. Një përmbushje e një motivim se mund të arrija çdo gjë nëse do e merrja guximin.
Transferimi në shkollën e re më riktheu në ciklin ku duhej të adaptohesha. Më duhej edhe një herë të kaloja nëpër ndryshime totale të rutinës. Përsëri një ambient e një rreth krejtësisht i ri. Por kësaj here isha më se e gatshme. Ishte shkollë që e kisha ëndërruar. Një sistem tjetër mësimi, me shumë mundësi për përfshirje në aktivitete dhe hapësirë që të dëgjohej më shumë zëri im.
Aktiviteti i parë në të cilin mora pjesë në shkollë, ishte ngritja e vetëdijes për kancerin e gjirit. Atë e bëmë kryesisht përmes prezantimeve dhe fletushkave. Prezantimi para gjithë klasës ishte sfidë në vete, por çfarë më nxori mua nga zona e komfortit ishte shpërndarja e fletushkave në qendrën e qytetit. Mu desh të mposhtja frikën dhe t`iu afroja njerëzve për tu dhënë informatat e nevojshme për këtë sëmundje. Nuk ishte e lehtë; shumë prej tyre nuk kishin as edhe një minutë kohë të ndaleshin, kështu që të kalonin para fytyrës e të injoronin. Por interesimi nga ana e pjesës tjetër më bëri të ndihem sikur ju nevojitesha dhe e dija se po bëja një gjë të mirë.
Përveç se vazhdova të jem pjesë e aktiviteteve shkollore, fillova të përfshihem në programe e aktivitete jashtë shkollës si Junior Geeks, Unicef, TOKA dhe AAC. Aplikimet gjithherë vazhdojnë të jenë sfiduese pasi që janë e vetmja pjesë ku mund të tregoj se kush jam dhe pse duhet të zgjidhem unë, por janë të tejkalueshme. Krijimi i një shoqërie të re me interesa të njëjta si tuat, zgjerimi i horizontit dhe aktivizimi në komunitet janë ndër përfitimet kryesore të daljes nga zona e komfortit. Mund të jetë e frikshme në fillim, por pas një kohe krijohet një lloj “varësie” ndaj përvojave dhe eksperiencave të reja, ku gjatë tërë kohës je në kërkim të diçkaje ndryshe.
Kështu që merre guximin, shtyje veten dhe përfito nga mundësitë që të rrethojnë!
Mbi autoren: Lyra Ymeraga, 16 vjeçare nga Prishtina, ndjek mësimet në shkollën Finnish School of Kosovo.
Ky grant është mundësuar nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States