MARTESAT E HERSHME, PROBLEM SHOQËROR NË JANJEVË
Martesat e hershme janë ende të pranishme, në vendin tonë. Traditat dhe zakonet tek komunitetet e ndryshme vazhdojnë të aplikohen në mënyrë të njëjtë, pa pësuar ndryshime. Martesat e hershme konsiderohen shkelje të të drejtave të njeriut dhe dhunë në bazë gjinore.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Martesa e hershme, përcaktohet si kurorëzim i dy personave ku njëra ose të dy palët janë nën moshën 18 vjeçare. Megjithatë, fenomenin e martesave të hershme më shpesh e hasim tek vajzat. Shkaktarët e shpeshtë të martesave të hershme vlerësohen të jenë mendësia patriarkale, tradita, feja, presioni shoqëror për vajzat që të martohen sa më herët dhe varfëria. Për një familje të varfër, vajza e re edhe mund të konsiderohet si barrë ekonomike. E në raste të caktuara ndodhë që familja merr një vlerë të caktuar monetare nga martesa e fëmijës.
E gjithë kjo sigurisht është jo e drejtë dhe sjell pasoja të rënda në jetën e vajzave që martohen në moshë te re. Disa prej pasojave përfshijnë dhunën në familje, duke përfshirë këtu edhe izolimin nga shoqëria dhe familja, më pas divorci, shtatzëninë e paplanifikuar, komplikimet gjatë shtatzënisë, ndërprerjen e shkollimit dhe vështirësitë për qasje në punësim.
Në shumicën e vendeve, martesa e hershme është e ndaluar nga ligji dhe konsiderohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Martesat e hershme janë problem global, sipas organizatës Plan International, 12 milion vajza në botë martohen para moshës 18 vjeçare – një në gati 2 sekonda. Plan International po ashtu paralajmëron se nëse nuk punohet në këtë drejtim, më shumë se 150 milion vajza do të martohen para vitit 2030.
Pjesë kontribuuese e kësaj shifre fatkeqësisht është edhe Kosova. Si fenomen është goxha i shprehur edhe në Janjevë, ani pse një vend i vogël me mbi 2 mijë banorë. Një gjë e tillë është më e shprehur në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Gratë e komunitetit rom në Janjevë, tregojnë se si në shumicën e rasteve ato janë të detyruara nga familja të martohen herët, ndërsa disa prej tyre shprehen se janë martuar me dëshirë.
Faze Garipi, e cila është martuar në moshën 16 vjeçare është kundër martesave të hershme. Ajo ndan mendimin se mosha ideale për martesë është kur vajza mbush 25 vjet. Njëjtë sikur Garipi edhe Hanumshahe Gradina mendon martesat e hershme duhet të ndalen. E këtë e thotë për shkak se vajza e saj është një prej atyre,
“Vajza ime është martuar 16 vjeçe dhe ka ikur nga shtëpia pa dijeninë tonë. Unë s’kam pasur dëshirë që ajo të martohet kaq e re, por e ka dashur burrin. Së pari është duhur që ta përfundojë shkollën, jo të ikë e re”, thotë Gradina. “Unë mendoj se duhet të ndalohen martesat e hershme , duhet me shku në shkollë, me i mësu si mësimet, e jo me shku te burri në moshë të re. E kam edhe një vajzë tjetër, janë ardh me e lyp msit por nuk ka dasht”, shton ajo.
Në Kosovë, të dhënat statistikore janë të mangëta sa i përket kësaj çështje. Ani pse Agjencia Kosovare e Statistikave çdo vit publikon listën e martesave në vend, ato të nën moshën 18 vjeçare nuk janë të plota. Një gjë e tillë ndodh edhe për shkak se çiftet e reja presin disa vite për tu regjistruar në institucionet përkatëse. Megjithatë, në vitin 2019 Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka nxjerr disa të dhëna nga ASK-ja ku thuhet se në atë vit në vend janë regjistruar 49 martesa nën moshën 18 vjeçare. Numri real është më i madh.
Përkundër kësaj dhe pasojave të martesave të hershme, ka të atilla që mendojnë se nuk ka asgjë të keqe të martohesh e re.
“Sa më herët, aq më mirë”, thotë Gjylishahe Garipi, e cila tregon se vajzën e ka 21 vjeçe dhe i thotë vazhdimisht që të martohet. “Vajza e ka vendin te burri, dhe duhet të martohet më shpejt”, shton ajo.
“Vajza ime është martuar 16 vjeçe. Së pari duhet të shkollohet pastaj të martohet, ndërsa mosha për t’u martuar më e mirë është 20-21 vjet. Unë jam martuar 15 vjeç me dëshirë dhe nuk i kam rënë pishman”, thotë Rashide Gashi.
E re është martuar edhe Habibja (emër imagjinar, për shkak të privatësisë), por i bie pishman për tjetër arsye.
“Unë jam martuar 17 vjet, nuk i bie pishman që jam martuar e re, pishman i bie që nuk jam shkolluar. Nuk ka traditë më, nuk të jep me zor, veç nëse dëshiron. Me qejf e me zor jo. Më herët janë martuar me msit e nuk janë parë ndërmjet vete, prindi çka ka thënë dhe janë martuar. Ne u japim këshilla vajzave tona që të mos martohen të reja, dhe duam që të shkollohen e pastaj të martohen”, thotë Habibja.
Nga e gjithë kjo kuptojmë pasojat e martesave të hershme, të cilat i ndalin në gjysmë ëndrrat e vajzave të reja dhe ua pamundësojnë të drejtat bazike, duke përfshirë edhe të drejtën për shkollim.
Nuk duhet që t’i përkrahim martesat e hershme assesi, duhet të shkollohemi, të jemi të pavarura, të krijojmë një jetë të mirë për vete, e mos të varemi nga të tjerët si për të ardhura, ashtu edhe në gjithçka tjetër. Duhet të ketë sa më shumë promovim për të drejtat dhe liritë e njeriut, në veçanti të drejtat e fëmijëve në fshatra. Duhet të punohet për ngritje të vetëdijes në të gjitha nivelet e komunitetit duke përfshirë të rinjtë dhe të rejat, prindërit, familjen, dhe shoqërinë.
Njëkohësisht të promovohet dhe punohet më shumë në nxitjen e të drejtës për tu arsimuar. Vajzat në veçanti kanë nevojë për përkrahjen e shoqërisë dhe qasjen në programe që ofrojnë shkathtësitë për jetë, arsimim, jetesë dhe informacionet për shëndetin seksual dhe riprodhues dhe shërbime të tilla si planifikimi familjar dhe shërbimeve shëndetësore për shpëtimin e jetës së nënës.
Mbi autoren: Romesa Bikliqi, 15 vjeçare nga Janjeva, është nxënëse në shkollë fillore.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).