ORIENTIMI NË KARRIERË NË MJEGULLËN E PANDEMISË
Ky virus është sfida më kulminante e shëndetit mendor. Pasiguria, vetëbesimi dhe frika asnjëherë nuk kanë qenë në luftë më të ashpër për menaxhim dhe kontrollim nga ana e njerëzimit. Në Kosovën tonë, përballja me këtë virus shpesh bëhet e pamundur. Ishte muaji mars i vitit të kaluar, që ndryshoi stilin e jetesës, organizimin e aktiviteteve. Duke filluar nga transporti, ku nuk shohë të mbahet distancë, maska ndër hundë e bërrylave, distancë milimetërshe, njerëz të molisur dhe të lodhur nga kjo kataklizëm globale.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Kam vendosur ta hapë portën e guximit, për me ecë rrugës së mveshur me frikë, e cila më çon drejt dritës së synimit primar jetësor: njoftimin dhe fillimin me nivelin tjetër të shkollimit, përkatësisht atë universitar. Kam vendosur ta ndjekë rrugën e braktisur tashmë, një promotor të shpartalluar, një mekanizëm të kthyer në mjet dhe vlerë e transformuar në antivlerë, drejtësinë.
Drejtësinë, ngase para së gjithash ajo është parim, virtyt e shtyllë morali. Drejtësinë, për të cilën të gjithë llafosin e kërkojnë, kritikojnë… por nuk dëshirojnë ta praktikojnë.
Kam zgjedhur të vetmen alternativë, e cila do të ma plotësoj boshllëkun e personalitetit tim, sepse mendoj që, në asnjë stad tjetër të jetës, as vitet që do të shkelnin mbi mua, por as me sfidat që do të luftoja me to, nuk do të mund të nxjerrja leksionet që do ta formësonin personalitetin tim, si drejtësia mbi të gjitha. Dhe po në mesin e gjithë atyre drejtimeve unë zgjodha atë që ishte duke më kërkuar specifikisht mua, për dallim nga të tjerët që e zgjidhnin atë që e kërkonin.
Në këtë kohë mjaft të egër, ky profesion frymon vështirë, që kur njerëzit janë bërë tregtarë të parimeve dhe dinjitetit, e kjo sikur jep sinjal se sistemi i drejtësisë nuk kontrollon të tjerët, por është i kontrolluar nga të tjerët.
Edhe më e vështirë nëse praktikmin e te drejtave, ligj eve e shohim se duhet zbatuar vetëm nga ana obliguese dhe detyruese atëherë ndodhë gjithmonë të bëhet klishe irrituese por në rast se ne i zbatojmë dhe praktikojmë nga vullneti, empatia dhe morali ynë ato sikur na mbushin me rehati dhe na prekin ndërgjegjen tonë në rast se jemi të rrezikuar të devijojmë në rrugën e parimeve, mirësisë dhe solidarizimit me të tjerët.
Varësisht nga dega e tij, prapë se prapë është dirigjues në majën e organeve shtetërore e shpesh nga profesionistët që e ushtrojnë këtë profesion ekziston mundësia të influencohet nga egoja dhe ta ushqejë snolipsizmin nga pozitat ekzekutive, kjo s’mund të rrjedhë nga diç tjetër, se vuajtja për vëmendje.
Më është dashur me vite ta kuptoj, se askush s’ma ka thënë, veçantinë e njeriut e përcakton edhe natyra e sfidave, jo vetëm ecuria e arritjeve të tij.
Duhet zbritur deri në thellësitë e fatkeqësive për t’i kapur majat e mirësisë.
Ani pse më pak siguri kolektive, institucionale, vendosmëria për me kurorëzu me sukses këtë sakrificë nuk ma ndalon asnjë barrierë.
Fundi i një cikli arsimor spontanisht ndryshoj esenicialisht me pak sinjale gjithë rrjedhën e mësimnxënies e vlerësimit. Zakonisht fundi i një gjëje, periudhe, është ndryshe nga ai kur shënon një fillim. Fillimet janë të destinuara të jenë të reja, ndryshe nga fundi. Këtë nuk e hasa kur përfundova shkollën e mesme, një fund i hidhur me një fillim gati të ngjashëm, veç përmbajtja e tij me karakter tjetër, por qëllimi mbetet i njëjti.
Një virusi i vogël i padukshëm u bë armik i njerëzimit, i cili sot pos frikës, luftës me jete dhe pasigurisë, tjetër gjë nuk fal. Për një virus që më shumë flasin e punojnë si ta parandalojmë, sesa që punojnë për ta gjetur kurën. Kjo gjendje e rëndë me qartëso deklasoi rëndësinë, lidhshmërinë me shëndetin fizik që ka shëndeti mendor dhe pasojat që mund t’i vuajmë në rast se nuk mbajmë ekuilibrin e njëjtë të kujdesit mendor me atë fizik.
Ky virus është sfida më kulminante e shëndetit mendor. Pasiguria, vetëbesimi dhe frika asnjëherë nuk kanë qenë në luftë më të ashpër për menaxhim dhe kontrollim nga ana e njerëzimit. Në Kosovën tonë, përballja me këtë virus shpesh bëhet e pamundur. Ishte muaji mars i vitit të kaluar, që ndryshoi stilin e jetesës, organizimin e aktiviteteve. Duke filluar nga transporti, ku nuk shohë të mbahet distancë, maska ndër hundë e bërrylave, distancë milimetërshe, njerëz të molisur dhe të lodhur nga kjo kataklizëm globale.
Nuk e di, edhe sa do të zgjasë. Nuk e di, kur shënon fundin. Nuk e di, a është një kurth a aksidentalisht u përplasem në të, apo është një “karma” e modifikuar nga natyra.
Por, e di që është bërë një monotoni, një indikator ngulfatës që nuk lejon as ajrin e njëjtë ta ndajmë me të tjerët, një shkak që fut ndërmjetësues distancën në përshëndetje, përqafim, punë, komunikim, mësim… Nga masat mbrojtëse që duhet praktikuar kundër këtij virusi shpesh më duket sikur ka lexuar brendinë e njerëzimit ky virus…Një mot i mbrapshtë, një vit që kërkon llogaridhënie globalisht njerëzimit. A kaq gjatë do të duhej të qëndrojmë larg njëri-tjetrit për ta ndjerë në esencë mungesën, a duhet kaq mall për ta matur dashurinë që kemi për njëri-tjetrin!?
Mbi autoren: Florë Halimi, 19 vjeçare nga Podujeva, është studente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.