PANIKU QË ZGJOI TRAUMËN
Ajo çfarë në të vërtetë zgjoi kureshtjen time, ishte paniku për miell. Sado që nga institucionet vazhdimisht thuhej që nuk do të mbesim pa miell, që ka rezerva të mjaftueshme dhe se nuk është e nevojshme të blejmë më shumë se që kemi nevojë, e gjithë kjo nuk po përfillej nga qytetarët. Blerjet e mëdha filluan qysh para rastit të parë në Kosovë, e intensiviteti i tyre u shtua edhe më shumë pas rasteve të para e marrjes së masave për kufizimin e lëvizjes.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Çfarë ironie, e kam emrin Elira dhe kam pothuajse dy muaj që jam mbyllur në shtëpi. Fillimisht nga kujdesi që po tregoja në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi, e më pas nga masat që u morën nga shteti ynë (dhe e gjithë bota), kam kaq kohë që jam privuar nga e drejta që të lëvizë e lirë.
Është e kuptueshme që masat që u morën ishin të nevojshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mirëpo, i kuptueshëm është edhe fakti që këto masa ndikuan në shëndetin mendor të të gjithë popullsisë, në mënyra të ndryshme. Dhe jo çdokush e përjeton njëjtë situatën e krijuar.
Për mua, është hera e parë që ballafaqohem me diçka të këtillë. Lëvizjen e lirë, ushqimin, shëndetin, të gjitha i kam marrë si të mirëqena, që prej kur mbaj mend vetën. Pavarësisht që nga më të moshuarit shpesh herë më është bërë e ditur që jo gjithmonë në Kosovë i kemi gëzuar këto të drejta. Si duket njeriu nuk mendon për to, deri sa kjo e drejtë t’i merret.
Kështu, që kur filluan sugjerimet për të qëndruar në shtëpi, mendjen e kisha kryesisht tek fakti që s’do kisha mundësi ta takoja shoqërinë për ca kohë, që s’do mund të dilja në kafe e të shkoja në fakultet. E përkundër preokupimeve të mija, që mund të duken qesharake për dikë, prindërit e mi, e shumë të tjerë si ata, në mendje kishin shqetësime tjera.
Vala e panikut po e pushtonte botën. Në Kinë, po ndërtoheshin spitale të reja nga themeli, si pasojë e frikës që s’do mund të ju bënin ballë numrit të të infektuarve në spitalet që kishin; në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paniku po manifestohej në “luftë” për letra tualeti; kurse tek ne, paniku u manifestua me frikën që do ngeleshim pa miell. Përpos shqetësimit të Kinës, panika e amerikanëve dhe ajo e jona po më dukeshin disi të paarsyeshme.
Për ShBA-të, kjo dukej të kishte lidhje me kulturën e përdorimit të madh të letrave të tualetit, edhe pse paniku për të blerë të gjitha produktet e nevojshme ishte evidente, por përleshjet çuditërisht bëheshin për letra tualeti! Sidoqoftë, kjo çështje kërkon një studim tjetër…
Ajo çfarë në të vërtetë zgjoi kureshtjen time, ishte paniku për miell. Sado që nga institucionet vazhdimisht thuhej që nuk do të mbesim pa miell, që ka rezerva të mjaftueshme dhe se nuk është e nevojshme të blejmë më shumë se që kemi nevojë, e gjithë kjo nuk po përfillej nga qytetarët. Blerjet e mëdha filluan qysh para rastit të parë në Kosovë, e intensiviteti i tyre u shtua edhe më shumë pas rasteve të para e marrjes së masave për kufizimin e lëvizjes. Paniku më i madh vazhdonte të ishte mungesa e miellit. Radhët e pritjes për të blerë miell shpeshherë ishin “të pafundme”, pastaj në disa raste u desh që të intervenonte edhe policia. Madje pati raste edhe kur mielli u kontrabandua, e gjitha kjo nga krijimi i panikut të panevojshëm.
Por, pse po bëhej i gjithë kjo panik, sikur mielli të ishte produkti i vetëm me të cilin mund të ushqehemi? Pastaj, institucionet dhe mediat vazhdimisht tregonin që nuk ka mungesë të miellit dhe se e gjithë kjo ishte e panevojshme.
Atë pyetje po ja bëja vazhdimisht vetës, por përveç kësaj atë po e diskutoja edhe me shumë të tjerë. Të rinjtë kishin më shumë tendenca që për panikun e krijuar t’i fajësonin mediat, kurse më të moshuarit (ata që në fakt kishin krijuar panik për mungesë të miellit) këtë panikë e arsyetonin duke rikujtuar kohën e luftës. Duke treguar se si gjatë kohës së luftës me një kilogram bukë ushqehej një familje-deri në shtatë apo edhe më shumë anëtarë-) dhe ajo familje që kishte miell konsiderohej se ishte me fat, se si lufta në mes të luftës së vërtetë, ishte lufta për të mos vdekur urie!
Sipas “American Psychiatric Association”, i cili është asociacion që merret me shëndetin mendor, ekziston një çrregullim psikik, i njohur si Çrregullim Stresi Post-traumatik (PTSD), i cili mund të shfaqet tek njerëzit që kanë përjetuar ose dëshmuar një ngjarje traumatike. Qoftë ajo fatkeqësi natyrore, aksident i rëndë, veprim terrorist, luftë, përdhunim ose sulm tjetër personal i dhunshëm. Sidoqoftë, njerëzit me PTSD kanë mendime dhe ndjenja shqetësuese në lidhje me përvojën e tyre që zgjasin edhe shumë kohë pas përfundimit të ngjarjes traumatike. Ata mund ta rijetojnë ngjarjen përmes rikujtimeve ose përjetimit së një ngjarjeje të ngjashme. Këta persona, mund të shmangin situatat ose njerëzit që ua kujtojnë atyre ngjarjen traumatike.
Rrjedhimisht, personat të cilët e përjetuan mungesën e ushqimit, më saktësisht të miellit, gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, filluan të ndjenjë stresin post-traumatik duke parë se si po zhvilloheshin ngjarjet si pasojë e koronavirusit. Kësisoj, ata filluan të blejnë miell si pasojë e panikut nga trauma që kanë përjetuar në të kaluarën.
Kështu, paniku botëror zgjoi traumat e luftës së fundit tek shqiptarët, e stresi post-traumatik zgjoi panikun për të blerë miell më shumë se që ju nevojitej.
Ndërkohë, për shumë të tjerë si puna ime, që nuk e kanë përjetuar një traumë të këtillë, këto blerje dhe kjo panik janë krejtësisht të panevojshme. Siç edhe u arrit të dëshmohet, tash pas pothuajse katër muaj që nga fillimi i distancimit social dhe izolimi, ka ende mjaftueshëm miell dhe produkte tjera ushqimore, si dhe importi dhe eksporti i tyre vazhdon të bëhet.
Pra, në një mënyrë ose tjetrën, i gjithë paniku për blerjen e miellit vjen si stres nga trauma e përjetuar 21 vite më parë. Jam e bindur që edhe po të bëhen matje përmes anketimit të qytetarëve, do të arrihet po i njëjti rezultat nga moshat të cilat vetëm e kanë përjetuar mungesën e miellit gjatë asaj periudhe.
Mbi autoren: Elira Hasangjekaj, 21 vjeçare, studente në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).