RËNDËSIA E PJESËMARRJES NË AKTIVITETE JASHTË SHKOLLËS
Të rinjtë dhe te rejat duhet të aktivizohen sa më shumë dhe të tregojnë interesim. Përmes aktiviteteve jashtë kurrikulare mësojmë të punojmë në ekip, krijojmë shoqëri të përkryer. Aktivitetet fizike janë të dobishme për shëndet, reduktojnë stresin, konkurrenca në gara ndërton vetëbesim, ne bëhemi krijues dhe inovativ, na ndihmojnë të gjejmë pasion etj.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Të gjithë mendojmë se shkolla ofron mjaftueshëm dhe nuk kemi pse të merremi me aktivitete jashtë saj, por në të vërtetë janë disa gjëra të cilat shkolla nuk na i mëson për t’u zhvilluar si një individ. Angazhimi në shkollë duhet të plotësohet me aktivitete jashtëshkollore sepse ndihmojnë që fëmijët të zbulojnë aftësitë dhe interesat dhe kështu ta shfaqin identitetin e tyre personal e të zhvillohen sa më mirë.
Programet që lejojnë rininë të krijojë aktivitete në dobi të komunitetit dhe të marrin role domethënëse në projekte (duke përfshirë shfaqjet artistike dhe llojet e tjera të prezantimeve publike) ofrojnë mundësi që të rinjtë të zhvillojnë aftësi të rëndësishme sociale, emocionale dhe njohëse. Pra, të rinjtë mund të jenë përfitues dhe të mbështeten në krijimet e projekteve të ndryshme nga idetë e tyre ashtu siç kam qenë edhe unë përfituese e një granti për të themeluar një kabinet të shkencave në një shkollë fillore dhe përfituese e një projekti tjetër për të realizuar një kamp veror të pikturës i cili kishte për qëllim të bashkojë të rinjtë e të rejat nga komunitete të ndryshme.
Ka shkolla private të cilat kanë programe pas shkollës për të akomoduar fëmijët e prindërve që punojnë. Por kërkojnë të paguhet një tarifë. Ndërsa ka programe pas-shkollore pa pagesë të cilat ndodhen pranë organizatave të komunitetit. Nëse sadopak shfaqet interesim tek fëmijët, ata mund të krijojnë kushte për angazhim. Por, në fakt shkollat duhet të ofrojnë shumë më shumë. Edhe pse mungojnë aktivitetet që organizohen nga shkollat, ka grupe të ndryshme formale dhe jo formale e iniciativa që krijojnë mundësi të shumta në çfarëdo fusha interesimi për tu angazhuar në aktivitete jashtëshkollore.
Të gjithë e dimë se përvojat tona jetësore janë po aq të rëndësishme sa leximi i librave brenda ditës.
Përfshirja në aktivitete të të mësuarit, rekreative ose në sporte është shumë e rëndësishme pasi lejon fëmijët dhe të rinjtë/rejat të eksplorojnë dhe filtrojnë interesa të ndryshme duke u argëtuar në të njëjtën kohë. Këto aktivitete ndihmojnë në komunikimin dhe aftësitë sociale. Gjithashtu ofrojnë një përvojë mësimi ndryshe nga të tjerët.
Duke u bazuar në studime të ndryshme por edhe nga përvoja personale, përmes angazhimit në aktivitete jashtëshkollore, mund të fitohen aftësi të ndryshme si puna ekipore, mendimi kritik, debati, arti, shkathtësi të buta, menaxhimi i kohës, shprehitë e të jetuarit shëndetshëm, vullnetarizmi e shumë të tjera që mua më ndihmojnë të kem vetëbesim, përgjegjësi, të ndihem mirë, të gjej veten dhe mbi të gjitha unë e kuptoj se duke i bërë gjërat me kreativitet dhe plot dashuri të gjithë shkëlqejmë në një mënyrë apo tjetër. Mundësitë që unë i shfrytëzoj në këto aktivitete janë shumë të rëndësishme për të parë jetën time në pikëpamje të ndryshme.
Aktivitetet jashtëshkollore ndihmojnë edhe në tejkalimin e paragjykimeve për grupe të ndryshme shoqërore, ashtu siç më ka ndodhur edhe mua rishtazi.
Në muajin prill të këtij viti kam marrë pjesë në një asamble rinore ku ka pasur të rinj nga e gjithë Kosova, me përfshirje komunitetesh. Në fillim, do të thotë ditën e parë të ngjarjes kisha një mendim se shqiptarët dhe minoritetet janë më të distancuar në mes vete. Gjatë kësaj eksperience të re ndoshta në fillim kam pasur disa paragjykime mirëpo duke marrë pjesë në debate për tema të ndryshme dhe shkëmbime rinore pra duke u njohur më shumë me ta, e kam parë personalisht që jemi tepër të afërt dhe kështu kam ardhur në përfundim se këto paragjykime nuk kanë qenë reale, kanë qenë të gabuara. Këto kanë shërbyer si përvojë e mirë për të ndryshuar mendim për komunitete të tjera dhe gjithmonë do të jem e gatshme për bashkëpunim dhe komunikim me komunitete të ndryshme.
Pra, duhet të sfidojmë frikën, dhe të ndjehemi të lirë të flasim para të tjerëve.
Të rinjtë dhe te rejat duhet të aktivizohen sa më shumë dhe të tregojnë interesim. Përmes aktiviteteve jashtë kurrikulare mësojmë të punojmë në ekip, krijojmë shoqëri të përkryer. Aktivitetet fizike janë të dobishme për shëndet, reduktojnë stresin, konkurrenca në gara ndërton vetëbesim, ne bëhemi krijues dhe inovativ, na ndihmojnë të gjejmë pasion etj.
Në një vend ku motivimi dhe mundësitë në shkollë janë të pakta shpresoj që dëshira për angazhim dhe entuziazmi të mos mungojnë kurrë.
Mbi autoren: Verona Misini është një vajzë 16 vjeçare nga Ferizaj në klasë të 11 e cila vijon mësimet në shkollën e mesme “Universum College” dhe vullnetare në shumë aktivitete pas shkollës.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.