MBIDOZA PATRIARKALE
Para ca viteve ngurroja të ecë me kokë përpjetë rrugëve të qytetit. E dini pse? Sepse edhe unë jetoja në një paradigmë primitive. Nuk e dija se nuk kisha nga ta dija se unë mund reagoj nëse ngacmohem. Unë guxoj ta ngris zërin. Nuk kam qenë në dijeni që nuk është turp me e kthy kokën edhe ta pështyjë në fytyrë.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Rutinë realiteti. Pasdite përvëluese. Kap buzëkuqin dhe lyen buzët e thara. Vesh fustanin e thjeshtë përmbi gju, rregullon flokët e shkurtra dhe mbath taket klasike. Rrugës për në punë ndeshesh me komentet “flokët si djalë”; “buzët e kuqe si nuse”; ka je nis me take si në dasmë”; “veç për burrin tënd rregullohu kështu”.
Mirë se vini në përditshmërinë e një vajze të shekullit XXI.
Përderisa disa shtete të botës merren me probleme të shekullit modern, Kosova e vitit 2019 ende merret me thashetheme për veshjen.
Nëse e kthen kokën dhe ia tregon vendin atëherë je feministe e përdalë, provokuese, hakmarrëse…
Tak-tuket e takave pengojnë më shumë se zhurma e mendimeve primitive në kokat e bashkohësve të mijë.
Në epokën e Majlinda Kelmendit ende dëgjoj fjali si kjo: ” Vajzat munden me ushtru sport, veç nuk krahasohen me burrat sportist”-tha një “feminist”.
Kjo është koha e shpërthimit të grave por kosovari patriarkal ende e sheh si një nuse shtëpie. Ende has epitete ndaj nuseve si rob shtëpie. Ose vajzat nuk kanë vend as te baba as te burri. E vërtetë gruaja i përket sallave të konferencave do thoshte Aija Mayrock.
Tri xhiro rrugëve të Prishtinës, 30 hipoteza për mentalitetin shqiptar. Katër shëtitje në fshatin e lindjes 40 paragjykime për dukjen. Dy biseda në rrjetet sociale, një mori epitetesh.
“Jo se vajzat janë veç për me u kënaq me to” tha një 20 vjeçar i kohës moderne. Rini e papjekur, pleqëri e pjekur me patriarkat.
Para ca viteve ngurroja të ecë me kokë përpjetë rrugëve të qytetit. E dini pse? Sepse edhe unë jetoja në një paradigmë primitive. Nuk e dija se nuk kisha nga ta dija se unë mund reagoj nëse ngacmohem. Unë guxoj ta ngris zërin. Nuk kam qenë në dijeni që nuk është turp me e kthy kokën edhe ta pështyjë në fytyrë. E sot unë e bija e shekullit XXI nuk kam frikë. Shekujt nuk shkelin më mbi kockat e mija. Unë shkeli mbi kockat e shekujve. Ne ngrisim zërin për të drejtat tona, për ecjen tonë, fuqinë, veshjen, mendimet…
Lëvizja feministe Flower Power Feminists në vitin 1960 ngritën zërin për drejtat e tyre. Ka vajza në Kosovë që ende nuk e mbrojnë lirinë dhe drejtën e tyre. Arsyeja? Janë lindur, rritur e martuar në një familje ku dëgjohet vetëm zëri burrit. Aq fortë dëgjohet ai zë sa që ato nuk e dëgjojnë zërin brenda tyre. Vdesin pa realizuar ëndrra. Pa qenë në dijeni që kanë të drejtë për pronë, që trupi i saj është i saj, që duhet me ngrit zërin kur ngacmohet, dhunohet, ajo merr vendime për veten dhe mund me arritë suksese. E burrat apatik pas shumë mësimeve tjera duhet me qenë në dijeni se feminizmi është lëvizje për barazi jo kundër burrave…
Realitet i gjatë, i shkurtuar në eufemizma.
Mbi autoren: Antigona Isufi është studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.