MOSFUNKSIONIMI I FAKULTETIT TË ARTEVE NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS
Kemi rënë në këtë grackë sepse artisti duhet të vlerësohet nga kreativiteti i tij e jo vetëm nga prezenca në orë. Sepse nuk merret parasysh për sa artistë ka nevojë tregu. Sepse nuk bëhen kontrolla mbi cilësinë e profesorit dhe cilësinë e realizimit të mësimit. Në Fakultetin e Arteve studentët marrin vetëm detyra dhe diploma. Vlera e studimeve në Fakultetin e Arteve nuk njihet as nga vet Ministria e Arsimit, e cila rishtazi ka vendosur të na përjashtoj nga skema e bursave studentore. Prandaj, ju lutem na përjashtoni nga shteti!
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Në Fakultetin e Arteve padrejtësitë dhe problemet që ndodhin në mënyrë rutinore duhet të ndikojnë në kreativitetin e artistëve. Ky kreativitet duhet të kanalizohet me qëllimin për ndryshim, për një ndryshim rrënjësor madje! Artistët duhet të jenë të lirë të shprehin mendimin kritik dhe opinionin e tyre. Mirëpo, për arsye se nuk dëgjohet zëri ynë, nuk vlerësohen të drejtat tona si studentë dhe ekziston frika e fjalës së lirë, dua të qëndroj anonim.
Fillimi i studimeve, për shumë prej ne ka qenë periudhë e mbushur me inspirim dhe emocione për eksperiencat e reja. Të gjithë studentët ishim të bindur se na priste një udhëtim i paharrueshëm. Kishim mjaftë shpresë se gjërat do funksiononin ashtu siç e kishim menduar, ashtu siç duhet funksionuar në një institucion universitar. Tani pritjet tona qeshin me ne. Fakulteti i Arteve duhet të krijoj artistë të mirëfilltë. Duhet të krijoj artistë të pa trembur, artistë të cilët ecin në hap me kohën. Ne duket se kemi ngecur, nuk ka përparim. Mentorët tanë duhet të jenë komunikues, motivues dhe profesional. Roli i profesorit është të hulumtoj së bashku me studentin hapësirat e pafundme të informacioneve. Ndodhë e kundërta, kërkohet që studenti të marrë detyra për të cilat nuk ka njohuri dhe informacione të duhura. Jemi ne, studentët, që hulumtojmë dhe mësojmë pa ndihmën e mentorëve tanë. Prandaj, është e rëndësishme që të merren parasysh të arriturat e një profesori si dhe përvoja e tij mbi lëndën apo drejtimin. Fillimi i vitit të ri akademik është vërtetë i mundimshëm për të gjithë.
Nuk ekziston asnjë rregull dhe studentët nuk kanë informacionet elementare. Madje, nuk janë as të njoftuar mbi të drejtat e tyre si studentë. E kur kërkohet ndonjë përgjigje, sekretarja është vendi i fundit ku mund të informohesh për ndodhitë në Fakultetin e Arteve. Syllabusi i lëndëve është mjaftë i varfër. Nuk ka asnjë përshkrim mbi lëndët zgjedhore në mënyrë që studenti të jetë më i vendosur nëse është lënda e duhur për të. Në rast të pakënaqësisë, është e pamundur të bëhen ndryshime që të zgjidhen lëndët më të përshtatshme. Procesi mbi angazhimin e profesorëve është tejet i gjatë.
Ndonjëherë përfundon semestri dhe studentët ende nuk janë të njoftuar me lëndën dhe profesorin. Në raste të tilla, studentët janë të obliguar të zëvendësojnë një semestër të tërë. E nëse nuk zëvendësohen orët, janë listat e nënshkrimit për pjesëmarrjen e studentit. Pra, profesorët në vend të zëvendësimit të orës sjellin një numër të madh listash dhe ora zgjatë aq sa zgjatë nënshkrimi i studentëve. Kemi edhe lëndë të tilla ku ora mbahet nga studentët pasi profesorët nuk qëndrojnë në klasë pjesën më të madhe të kohës.
Orari i ligjëratave krijohet sipas dëshirës dhe mundësive të një profesori. Studentët me orë të tëra duhet të presin ligjëratën e radhës. Për po këtë arsye, studentët duhet të kenë qasje në klasat e universitetit në mënyrë që në kohën e lirë të krijojnë, mësojnë apo punojnë. Klasat qëndrojnë gjithmonë të mbyllura kur profesorët nuk janë prezent. Klasa më e pajisur në fakultet ka një ambient të gjerë për të punuar e për tu mbledhur së bashku me artistët e fakultetit në mënyrë që të krijohen aktivitete të ndryshme. Në po këtë klasë gjendet printeri dhe gjashtë iMac kompjuterë të cilët asnjëherë nuk përdoren gjatë ligjëratës. Ekspozita e studentëve për përfundimin e vitit akademik mbahet në klasat e fakultetit të cilat mbyllen ditën e ardhshme. Në Fakultetin e Arteve duhet të fitohen fonde dhe të bëhen investime të mëdha në favor të studentëve. Shpenzimet e studentëve janë marramendëse. Studentëve u kërkohen materiale të shtrenjta për të punuar dhe për të përfunduar detyrat e dhëna. Nuk gjenden mjetet elementare për mbajtjen e mësimit prandaj ne, më shume se të gjithë, kemi nevojë për bursën studentore.
Kemi rënë në këtë grackë sepse artisti duhet të vlerësohet nga kreativiteti i tij e jo vetëm nga prezenca në orë. Sepse nuk merret parasysh për sa artistë ka nevojë tregu. Sepse nuk bëhen kontrolla mbi cilësinë e profesorit dhe cilësinë e realizimit të mësimit. Në Fakultetin e Arteve studentët marrin vetëm detyra dhe diploma. Vlera e studimeve në Fakultetin e Arteve nuk njihet as nga vet Ministria e Arsimit, e cila rishtazi ka vendosur të na përjashtoj nga skema e bursave studentore. Prandaj, ju lutem na përjashtoni nga shteti!
Kërkesat:
Gjithë-përfshirje në fitimin e bursave studentore.
Krijimi i hapësirave për punë jashtë kurrikulës.
Informimi i detajuar për lëndët zgjedhore.
Mbajtja e rregullt e ligjëratave.
Modernizimi i syllabuseve.
Takimi sy më sy së paku një herë gjatë javes me profesorët/asistentët për lëndët profesionale.
Autori/ja ka vendosur të mbetet anonim
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.