NJË ERRËSIRË PËR TË GJITHË
Mbushuni mllef se po lejoni, po lejojnë, e po lejojmë me ndodhë ato gjëra! Mbushuni mllef se ka njerëz që mendojnë që mund të mashtrojnë me çdo skenë, me çdo euro e me çdo fjali të rreme! Shikoni, e kur shikoni, do vëreni. E atëherë, mblidhni forcat, e ngriteni zërin deri sa ta shpërndajë terrin. Flisni, se errësira hesht, e nuk e ka qejf zhurmën. Tregoni njerëzve për bishat që fshihen në hije, dhe tregojuni që, i pëlqeu ose jo, do jeni ata që do i mbysin. Vendosuni në krye të lëvizjeve, në krye të ushtrive, në krye të botës nëse ka nevojë dhe haptazi shfaqni që jo çdo gjë do tolerohet! E nëse s’keni qejf të flisni, shkruani, këndoni, pikturoni, ndërtoni ose çkado që ju jep shtytje e fuqi!
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Rreth meje u shtresua errësira. E vetmja dritë që kisha ishte nga hëna, po as ajo nuk kryente punën e saj. Prapa meje vazhdimisht dëgjoja hapa. Tuk, tuk, tuk. Gjaku më ishte ngrirë në vena. Acari më lëvizte lart e poshtë shpinës. Hapat vazhdonin. Tuk, tuk, tuk. Mbrapa meje. Fryma s’donte të qëndronte në mushkëritë e mia, sado përpiqesha. Tuk, tuk. Errësira nuk më mbulonte mjaftueshëm. Njëkohësisht nuk e dija se nëse do më mbulonte a do më mbronte apo do kontribuonte në shkatërrimin tim. Tuk, tuk, tuk. Ktheva kokën. Zemrën e ndjeja në shputat e këmbëve. Asgjë. Sa duket, nuk mund të dalloja rrahjet e zemrës nga hapat e një të panjohuri.
M’u duk e çuditshme kur prindërit, plot brengë, mu drejtuan me këto fjalë “Ruju prej atij maniakut që p’i kapë vajzat n’lagje”. Nuk e di pse. Ndoshta ngase deri në atë moment, rreziku për mua ishte vetëm në një video në internet. Ndoshta ngase diçka nuk e perceptojmë si të rrezikshme deri sa nuk e përjetojmë së paku një pjesë, pavarësisht fjalëve të të tjerëve. Jemi të mbyllur në një fshikëz fantazie. C’është më e keqja, kjo është bërë normë. Vrasjet, dhunimet, keqtrajtimet janë bërë miq të realitetit, dhe ne i kemi mirëpritur. Janë çështje të cilat diskutohen një ditë, e harrohen tjetrën. I lëmë anash videot, fotot e tekstet që tek ne ngjallin ndjenja neverie e faji. Ndërrojmë forumet dhe kanalet, se ashtu është më lehtë të harrosh botën në të cilën jeton.
Jetojmë me qëllim në injorancë, se e vërteta është shumë e hidhur kur ndalesh e mendon. Mirëpo sado që kthejmë kokën, është e pamundur t’i ikim diçkaje që të rrethon, diçkaje që të njollosë rutinën, mirëqenien e padijen. Jeta që kemi ndërtuar na duket absolute, deri sa nuk vjen momenti ku me të vërtet vjen në pah relativiteti i saj. Ndoshta njëherë për njëherë nuk na prekë të gjithë, por nëse mavijosë shoqet, fqinjet, koleget, pa dyshim që do vjen një ditë kur edhe ne do na lë të nxirë.
Do e vërejmë kur frytet e ligësisë ngjyrosin fjalët e prindërve tanë e gurët e varreve, por atëherë do jetë shumë vonë. Do vjen momenti kur errësira nuk na mbulon mjaftueshëm. Gjaku na ngrihet në vena. Acari na lëviz lart e poshtë shpinës e fryma nuk na qëndron dot në mushkëri. Që hëna të ndriçojë mbi ne, e errësira të na mbrojë, duhet t’u tregojmë që jemi kalorës nate të pacenueshëm. Se përndryshe, në ato sekonda kyçe, në ato momente kur frika të vlon në bark, e vetmja gjë që mund të bësh është të shpresosh që hapat që i dëgjon mbrapa vetes, janë vetëm të rrahurat e zemrës sate.
Të zgjohemi nga gjumi i detyruar. Të hapim sytë. Shikoni përreth, e jo vetëm përpara. Bota ka shumë për të ofruar, dhe ato që i ofron nuk janë gjithmonë të bukura. Mos i lini anash videot, fotot e tekstet që të mundësojnë të kuptosh që jeta të cilën po e jeton nuk është përrallë.
Mos i ndërroni kanalet, e as forumet. Është e vështirë të shihet tërë ajo mizori, por nëse nuk mund të ballafaqohemi me të në ekran, në realitet nuk mund as ta prekim. Mbushuni mllef se po lejoni, po lejojnë, e po lejojmë me ndodhë ato gjëra! Mbushuni mllef se ka njerëz që mendojnë që mund të mashtrojnë me çdo skenë, me çdo euro e me çdo fjali të rreme! Shikoni, e kur shikoni, do vëreni. E atëherë, mblidhni forcat, e rriteni zërin deri sa ta shpërndajë terrin. Flisni, se errësira hesht, e nuk e ka qejf zhurmën. Tregoni njerëzve për bishat që fshihen në hije, dhe tregojuni që, i pëlqeu ose jo, do jeni ata që do i mbysin. Vendosuni në krye të lëvizjeve, në krye të ushtrive, në krye të botës nëse ka nevojë dhe haptazi shfaqni që jo çdo gjë do tolerohet! E nëse s’keni qejf të flisni, shkruani, këndoni, pikturoni, ndërtoni ose çkado që ju jep shtytje e fuqi! Vetëm nxirreni mllefin, e ai mllef padyshim do inspirojë të tjerë. Kështu do e dini se personat që keni inspiruar, bashkë me ju në krye, janë personat e duhur për të gdhendur udhën e ndryshimit.
Mbi autoren: Amina Kaja është një vajzë 17 vjeçare e cila është nxënëse në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.