INTEGRIMI NË SHOQËRI I TË RIATDHESUARVE
Pas kthimit në Kosovë, në institucionet arsimore fëmijët e riatdhesuar nuk e gjetën trajtimin e duhur për tu integruar njëjtë në shoqëri. Problem i madh ishte fakti që shoqëria dhe rrethi ku ata/ato jetonin e vepronin filluan të tallen me ta duke i vendosur nofka të ndryshme apo duke mos i pranuar ata/ato në rrethin e krijuar brenda dhe jashtë shkollës.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Problemet ekonomike, mungesa e perspektivës dhe një nivel i lartë i zhgënjimit me politikën kosovare janë numëruar si shkaktarët kryesor nga shumë familje kosovare që braktisën vendin. Që nga paslufta, në vitin 2014 Kosova përjetoi valën më të madhe të emigracionit që arriti kulmin në fillimin e vitit 2015. Më shumë se 100 mijë njerëz kaluan ilegalisht kufijtë e vendit, me destinacion Bashkimin Evropian, përgjatë një periudhe goxha të shkurtër kohore.
Sipas një hulumtimi të realizuar në vitin 2015 nga “Econster” dhe Insituti Leibniz për Zhvillim Bujqësor për Ekonomitë në Tranzicion (IAMO) del se gjatë atij viti edhe kur qe vala më e madhe e migrimit kushtet ekonomike nuk ishin arsyeja e vetme e migrimit të qytetarëve, por arsyeja kryesore ishte mungesa e perspektives në vendin tonë.
“Disa ekspertë sugjerojnë se ata të cilët përfituan drejtpërsëdrejti prej këtij eksodi, me një fjalë trafikantët dhe bashkëpunëtorët e tyre, kanë kontribuar në shpërndarjen e këtij informacioni motivuese. Një shembull ishin fjalët e përhapura në rajonin e Ferizajt se Gjermania do t’u njihte automatikisht të drejtën e azilit të gjithë emigrantëve që mbërrinin gjatë muajit Shkurt 2015 “, shkruhet në raport.
Megjithatë, në momentin që kaluan në Evropën perëndimore shkuan me mendimin se atje do t’i priste një jetë shumë më e mirë, për dallim nga ajo qe e kishin në vend të tyre. Pak nga ato familje arritën që të fillojnë jetën nga e para në ato shtete, e shumë prej tyre u kthyen. Në një hulumtim të publikuar nga organizata “Demokraci për zhvillim” këtë vit, me titull “Matja dhe vlerësimi i politikave të riintegrimit: Politika të bazuara në dëshmi për të siguruar riintegrim të qëndrueshëm”, paraqiten shifrat e personave të kthyer.
“Fenomeni i rikthimit të emigrantëve ka qenë në rritje të vazhdueshme, dhe kjo ilustrohet edhe në studimin e IOM (Organizata Ndërkombëtare e Migrimit) i vitit 2005, ku qartë paraqitet se numri i të rikthyerve në vitin 2013 ishte 46,223, ndërsa në vitin 2015, ky numër u rrit dukshëm në 65,540, dhe në 2016-tën ky numër ishte afër 100,000. Më shumë se gjysma e të kthyerve në vitin 2016 ishin nga Gjermania”, shkruhet në raport.
Por pas kthimit shoqëria kosovare nuk i priti mirë, viktimë kryesore e kësaj dukurie ishin të rinjtë dhe të rejat deri në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare.
Pas kthimit në Kosovë, në institucionet arsimore fëmijët e riatdhesuar nuk e gjetën trajtimin e duhur për tu integruar njëjtë në shoqëri. Problem i madh ishte fakti që shoqëria dhe rrethi ku ata/ato jetonin e vepronin filluan të tallen me ta duke i vendosur nofka të ndryshme apo duke mos i pranuar ata/ato në rrethin e krijuar brenda dhe jashtë shkollës. Disa të rinj dhe të reja mendojnë se institucionet janë një prej shkaktarëve kryesore për lënien mbrapa të këtyre fëmijëve duke i kthyer mbrapa për një vit shkollor ose më shumë. Kjo ndoshta u bë edhe shkak që sot fëmijët e riatdhesuar mos të jenë pjesë e shumë aktiviteteve të ndryshme që organizohen me qëllim të socializimit në shoqëri.
Mehmet Ibrahimi është një i ri nga qyteti i Prishtinës i cili ka bartur pasojat e riatdhesimit. Përvoja e tij e kthimit nuk ka qenë e mirë, dhe i është dashur kohë që të gjejë përsëri veten në mesin shoqëror. Megjithatë, ai e sheh një dallim në qasjen ndaj të riatdhesuarve edhe me vendin ku jeton.
“Ngacmim direkt drejt meje nuk ka pasur shumë, por kam dëgjuar raste të shumta të ngacmimit nga të rinj të tjerë në vende të tjera”, ka thënë Ibrahimi. Sipas tij, shteti nuk ka arritur që të bëjë mjaftueshëm për të gjetur një formë më të lehtë për ata/ato që janë kthyer, pas ikjes nga Kosova.
“Institucionet nuk kanë bërë asgjë që unë me u ndje më mirë, përkundrazi më kanë kthyer 2 vjet mbrapa me gjenerata më të vogla”, ka thënë Ibrahimi.
Si zgjidhje për këtë problem Ibrahimi e sheh informimin e gjerë të popullatës nga ana e institucioneve për të riatdhesuarit ose thjeshtë me e bë Kosovën një vend më të mirë për jetesë që njerëzit mos me u ndje keq kur të kthehen ose më mirë mos të e braktisin fare.
Megjithatë nuk mjafton që vetëm institucionet të marrin iniciativa për këtë çështje, por edhe ne si shoqëri mund të bëjmë që të riatdhesuarve t’i krijojmë një ambient më të përshtatshëm për jetesë ku asnjëri nuk paragjykohet. E kjo mund të bëhet duke i bërë të ndjehen rehat në shkollë dhe duke i përfshirë përsëri këta të rinj dhe të reja në rrethin shoqëror, t’i bëjmë të ndjehen rehat në shkollë dhe kudo tjetër.
Mbi autorin: Samir Selmani është një djalë 18 vjeçar nga Ferizaj.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.