VULLNETARIZMI SI PËRGJEGJËSI QYTETARE
Nëse secili/a prej nesh i kushton vetëm pak rëndësi kohës së lirë dhe kontribuon në komunitet, bën të mira për lagjen, shkollën, shoqërinë atëherë ndikimi mund të vërehet në tërë qytetin apo fshatin ku jeton. Në këtë formë, ne mund të bëhemi ndryshimi që duam në shoqëri.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Suksesin, motivin, energjinë, njohuritë e reja, socializimin, dijen, vetëbesimin, krenarinë, dashurinë mund t’i gjesh së bashku në një vend. Përgjigja për këto është puna vullnetare. Me qenë vullnetar/e do të thotë të ndihmosh shtëpinë, lagjen, komunitetin e qytetin për një çështje të caktuar pa pasur fitime materiale.
Ndoshta për një shumicë të madhe të vendit tonë puna vullnetare është diçka që nuk kërkon shumë punë dhe angazhim, mendojmë që ajo që ne e bëjmë është thjeshtë kalimi i kohës së lirë. Por në fakt për të qenë vullnetar/e të duhet një energji shumë e madhe, një vullnet, mbështetje dhe kohë.
Pra, jo të gjithë kanë njohuri për rëndësinë e punës vullnetare dhe dobive që mund të sjell në nivelin personal e më gjerë. Sipas një hulumtimi të bërë nga organizata “Demokraci për zhvillim” në vitin 2018, për punën vullnetare në Kosovë, thuhet se shkalla e vullnetarizmit gjatë 2017 arriti në 15 për qind. Kjo shifër është shumë e vogël dhe sigurisht se nuk duhet të konsiderohet e kënaqshme, edhe nëse dallon për pak për qind me shtetet e rajonit. Në këtë hulumtim, me titull “Gjendja e vullnetarizmit në Kosovë: Sfidat dhe perspektivat” po ashtu theksohet rëndësia e punës vullnetare dhe thuhet se “vullnetarizmi si prioritet në kuadër të politikave rinore është një mënyrë për të trajtuar papunësinë e të rinjve, pasi që vullnetarizmi mund t’i pajisë vullnetarët me aftësitë e nevojshme për të gjetur punë”.
Sipas këtij hulumtimi del po ashtu se vullnetarizmi ndryshon në bazë të gjinisë.
“Hendeku gjinor është i dukshëm në radhët e të gjitha grup moshave. Për shembull, 16.3 për qind e burrave krahasuar me 11.1 për qind të grave, raportuan se kishin dalë vullnetarë në tre muajt e fundit të vitit 2017”, thuhet në hulumtim, derisa grupmosha e vullnetarëve është kryesisht prej moshës 18 deri 24 vjeçare.
Pavarësisht që të gjithë do të donim që të jetojmë të barabartë, në kushte të barabarta, në harmoni dhe dashuri, pak prej nesh jemi të gatshëm për tu bërë pjesë e këtij rrugëtimi për ndryshim. E për të arritur këtë ndryshim, duhet të angazhohemi secili/a prej nesh. Me punë vullnetare ne mundemi që të paktën në vendin apo rrethin ku jetojmë të kontribuojmë për të arritur një gjë të tillë.
Përveç ndryshimeve pozitive në komunitet dhe ngritjes së mirëqenies kolektive, puna vullnetarë na ndihmon edhe në rrugëtimin tonë individual. E më së miri këtë e dëshmoj në nivel personal. Fillova të bëj punë vullnetare në shkollën time fillore si nevojë për të dal në ndihmë të shoqeve të shkollës të cilat kishin filluar ta braktisin shkollën. Aty, filloi entuziazmi dhe dashuria për punë vullnetare për mua, pa ndalur as sot. Ishte një ndjenjë e veçantë kur sheh se ti ke qenë pjese e një procesi që me angazhimin tënd ke arritur të ndërrosh mendjen e një personi e të mos heq dorë nga shkollimi.
Angazhimi im në komunitet përmes punës vullnetare, sot është pjesë e suksesit time edhe si një ndërmarrëse e re pa mbushur të 18-tat dhe po më hap rrugët edhe drejtë studimeve jashtë vendit.
Pra është shumë e rëndësishme që të krijojmë kushte për angazhim në punë vullnetare. Mbështetja për punë vullnetare duhet të vij jo vetëm nga familja, por edhe institucionet arsimore, profesorët dhe drejtorë të shkollave. Duhet të jenë këta/o që motivojnë nxënësit/et për të bërë punë vullnetare, për të kontribuar në komunitet, dhe jo duke mohuar atë. Ata/o duhet të urojnë dhe festojnë për çdo sukses që nxënësit arrijnë me punë vullnetare.
Nëse secili/a prej nesh i kushton vetëm pak rëndësi kohës së lirë dhe kontribuon në komunitet, bën të mira për lagjen, shkollën, shoqërinë atëherë ndikimi mund të vërehet në tërë qytetin apo fshatin ku jeton. Në këtë formë, ne mund të bëhemi ndryshimi që duam në shoqëri.
Mbi autoren: Leona Jahiri është një vajzë 18 vjeçare e cila vijon mësimet në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.