PERFORMIMI SI REZISTENCË, KULTURA DRAG NË KOSOVË
Për të kuptuar çka është një Drag Queen, duhet fillimisht të thuhet kuptimi konvencional i Drag Queens, i cili është veshja e një burri në rroba të grave, zakonisht për qëllime të performimit. Ky kuptim i Drag që mund të cilësohet si reduktues, ka ndryshuar përgjatë kohës dhe është transformuar në një formë arti vështirë të definueshme, gjithmonë e më fleksibile, duke shërbyer si sfidim i normave gjinore dhe njëkohësisht edhe si kanalizim i shprehjes personale.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Në një të premte, brenda 4 mureve të një hapësire të sigurt, vendi është i zhurmshëm, i mbushur plot dhe njerëzit janë duke kërcyer. DJ lëshon muzikë deri kur është koha të dalin performueset. Kur ndalet muzika lëshohen dritat në skenë dhe turma fillon të brohorisë, të emocionuar për performancën që do vijë. Vjeshta del në skenë dhe fillon kënga “Paparazzi” e Lady Gaga. Vjeshta Shtatori fillon të performojë, duke përçuar emocionin e këngës që ka zgjedhur me lëvizje të ndryshme të trupit dhe me lëvizje të buzëve përgjatë tekstit të këngës që duket sikur vetë po këndon këngën dhe po tregon një storie. Vjeshta shkon dhe vijnë rend performueset e natës, secila me një performancë të planifikuar dhe me një mesazh të qartë të ekzistimit pavarësisht kundërshtimit që marrin nga bota jashtme. Ose thënë më mirë realiteti tjetër që mbretëron jashtë mureve të kësaj hapësire të sigurt.
Kështu shkon një e premte në një ndejë të organizuar nga persona të pasionuar për liri të komunitetit LGBTI. Kosova tek vonë ka filluar që të krijoj hapësira të tilla të sigurta ku performancat e Drag Queens zënë vend. Ndeja e këtij viti e cila ishte e hapur për të gjithë, sikur jep shpresa se një formë e tillë e shprehjes përmes performancës po mirëpret grupe të ndryshme të njerëzve në një vend, duke i lënë prapa paragjykimet, për t’i lënë vend hapjes së mendjes.
Për të kuptuar çka është një Drag Queen, duhet fillimisht të thuhet kuptimi konvencional i Drag Queens, i cili është veshja e një burri në rroba të grave, zakonisht për qëllime të performimit. Ky kuptim i Drag që mund të cilësohet si reduktues, ka ndryshuar përgjatë kohës dhe është transformuar në një formë arti vështirë të definueshme, gjithmonë e më fleksibile, duke shërbyer si sfidim i normave gjinore dhe njëkohësisht edhe si kanalizim i shprehjes personale. Duket se krejt këto i ka të qarta Vjeshta Shtatorin kur ngjitet në skenë. Ajo thotë se Drag është një eksperiencë personale, një formë e mirë për të shfaqur një anë tjetër të personit.
“Drag është edhe të bësh gjëra qe zakonisht si bën dot si djalë. Po ashtu, një gjë e çmueshme e të qenurit një Drag Queen është mundësia e shfaqjes së emocioneve dhe përçimin e mesazheve nëpërmjet performancës që ti bën”, thotë Vjeshta Shtatori.
Për të qenë Drag mjafton ndonjëherë vetëm kostumi apo grimi. Për të qenë një performancë e kompletuar jo domosdo duhet që ajo të përcillet edhe me vallëzim e aktrim. Por ngjitja në skenë e ka një përgjegjësi për me kriju një urë lidhëse mes performueses dhe audiencës. E për Icy Gloomix Drag është diçka shumë personale.
“Si një performues Drag, kam mësuar të gjykoj se çka funksionon me një audiencë dhe çka jo. Kam mësuar të përzgjedhë këngët me kujdes. Dhe me më së shumti rëndësi, mësova të performoj. Më nuk më frikëson të flas publikisht. Jam konfident në zërin tim, gjuhën e trupit dhe stilin në Drag”, ka thënë Icy Gloomix.
Përveç në nivel personal, Drag shërben edhe si vegël e bashkimit të një komuniteti të izoular që brenda këtyre mureve të ngushta kanë hapësirën e shfaqjes së kreativitetit. Izolimi dhe margjinalizimi nga shoqëria ka hapur mundësi tjera të shprehjes artistike nga ky komunitet që janë surprizuese dhe diverse. Kjo pa dyshim sjellë një frymë inkurajuese për persona tjerë të komunitetit të shprehin atë që ndëshkohet jashtë mureve nga shoqëria por festohet brenda këtyre mureve.
“Të kesh mundësinë të shprehësh artin tënd dhe kreativitetin përmes Drag-ut është e mrekullueshme. Drag është një mënyrë e shpërqendrimit dhe na ndihmon ta vendosim vëmendjen në diçka që është komplet për tu argëtuar, na tregon forcën dhe pozitivitetin dhe të jesh besnik ndaj vetes dhe dëshirave tua. Është një festim i fluiditetit të gjinisë”, thotë Drag Queen Icy Gloomix.
Këto mbledhi apo festa mund të shihen edhe si një formë rezistence ndaj rregullave strikte që nuk lënë hapësirë për shprehje artistike në forma jo-konvencionale. Rezistenca vjen në forma të ndryshme brenda këtyre hapësirave, prej veshjeve dhe stilit personal si formë proteste ndaj vijave kufizuese hetero-normativie, deri në performancat në skenë nga Drag Queens. Gjatë gjithë kësaj kohe kjo rezistencë brohoritet me përkrahje nga audienca që me vetëdije apo pa vetëdije po merr pjesë në rrënimin e shtypjes së të tashmes dhe ndërtimin e lirisë të së ardhmes. Mesazhi i kësaj bote të Drag është i qartë: rezistenca e komunitetit LGBTI do vazhdojë përmes metodave kreative, në çdo vend ku ka vullnet dhe platformë që mundëson kanalizimin e këtij vullneti.
Autori/ja e këtij shkrimi ka vendosur të mbetet anonim.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.