LE TË FLASIM PËR MUNGESËN E EDUKATËS SEKSUALE NË SHKOLLA
Mësimet shkollore që përfshijnë edukatën seksuale janë të pakta dhe rrallë herë diskutohet për këtë temë në vendin tonë. Aplikimi i edukatës seksuale në shkollë gjithmonë sjell përfitime si në rënien e numrit të shtatzënive te të miturat dhe parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Ilustrimi: Argjira Kukaj
Edukata seksuale është një temë e cila rrallë herë diskutohet në vendin tonë. Anatomia seksuale e njeriut, orientimi seksual, marrëdhëniet seksuale, riprodhimi seksual, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, seksi i sigurt e kontraceptivët janë vetëm disa nga konceptet për të cilat mësohet e diskutohet përmes edukatës seksuale. Si temë shumë e rëndësishme, edukata seksuale zakonisht diskutohet me njerëzit e afërt si prindërit, kujdestarët, motrat/vëllezërit e shoqërinë. Por një faktor shumë i rëndësishëm për informimin e personave sidomos të moshave më të reja është inkuadrimi i edukatës seksuale në kurrikulën shkollore. Në shumë vende të botës edukata seksuale aplikohet si lëndë nga klasa e parë deri në klasën e dymbëdhjetë e në disa vende nga klasa e pestë. Aplikimi i edukatës seksuale në shkollë gjithmonë sjell përfitime si në rënien e numrit të shtatzënive te të miturat dhe parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Adoleshentët/et për shkak se kalojnë nëpër ndryshime hormonale të mëdha në këtë fazë, janë grup mosha më e ndjeshme dhe me më së shumti nevojë për edukatën seksuale. Nga disa intervista të zhvilluara me nxënës/e të shkollave të mesme, vërehet dukshëm se inkuadrimi i edukatës seksuale në kurrikulën shkollore është shumë i vlefshëm.
Ema* është një vajzë e re, nxënëse e klasës së 11-të për të cilën rëndësia e mësimit për edukatën seksuale në shkollë ka peshë të madhe. Ajo thotë se mësimet shkollore që përfshijnë edukatën seksuale janë të pakta.
“Më kujtohet në klasë të tetë kemi mësu në lëndën e Biologjisë për riprodhimin seksual dhe gjenitalet. Krejt ai mësim ka zgjatë dy orë mësimore edhe informatat që na u kanë ofru kanë qenë shumë të mangëta. Janë përmend pak edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme mirëpo nuk na është dhënë asnjë informatë për mbrojtjen dhe parandalimin e tyre”, thotë Ema. Sipas saj kontraceptivët i janë shpjeguar si masa parandaluese të shtatzënisë duke e tejkaluar faktin se ato duhet përdoren edhe për parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. “Përveç se informatat kanë qenë të pamjaftueshme, disa shokë e shoqe nga shkolla tjera më kanë tregu se këto mësime janë tejkaluar krejtësisht me pretekstin se nuk na duhen”, shtoi ajo.
Ema beson se edukata seksuale në shkolla duhet të mësohet nga një moshë më e hershme, për shembull nga klasa e tretë, sepse të mësuarit rreth gjërave bazike që kanë të bëjnë me edukatën seksuale tek në klasë të tetë është shumë vonë.
“Nëse marrëdhëniet seksuale e orientimi seksual diskutohen më herët, atëherë fëmijët nuk do të konfuzoheshin nëse shohin dy djem a dy vajza me duar të kapura e as nuk do ishin kureshtarë që të zbulojnë më shumë rreth seksit përmes videove pornografike ku mund të hasin në raste të përdhunimit e pedofilisë e mandej nënvetëdija e tyre me i normalizu këto dukuri negative nga mungesa e informimit”, theksoi ajo.
Duke marrë parasysh numrin shqetësues të lindjeve nga vajzat e moshës jo madhore, Ema na e kujton se kjo dukuri vjen nga mungesa e informimit të duhur rreth seksit të sigurt dhe kontraceptivëve.
Një temë shumë keq e transmetuar tek nxënësit sipas Emës ka qenë edhe të mësuarit për menstruacionet. “Arsimtari i Biologjisë në klasë të shtatë na ka pyetur vetëm vajzat për mësimin rreth menstruacioneve dhe ka thënë se djemtë nuk është e nevojshme të dinë rreth kësaj teme” shtoi ajo.
Rreth orientimit seksual Ema tregon se krejt çka është përmendur deri sot ka qenë një mësim në lëndën e Psikologjisë të këtij viti.
“Në një libër të botuar diku në vitet e 90-ta janë përmendur çrregullimet seksuale dhe aty është citu se personat transgjinor dhe homoseksual kanë çrregullime seksuale (diçka që nuk është fakt) dhe nuk kemi mësuar asgjë më shumë rreth orientimeve seksuale të ndryshme” tha ajo.
Po ashtu, për Emën një koncept tjetër që ka nevojë të normalizohet është masturbimi sidomos tek vajzat sepse është një tendencë të shihet si akt i turpshëm dhe jo i diskutueshëm.
Ema mungesën e edukatës seksuale e vëren më së shumti nga diskutimet me moshatarët e saj. “Unë jam interesuar dhe kam lexuar më shumë rreth edukatës seksuale dhe gjithmonë jam si pikë informimi për shoqërinë rreth kësaj teme pasi që nuk kemi njerëz adekuat që të kërkojmë ndihmë profesionale nga ta” theksoi ajo.
Sipas Emës të gjitha këto eksperienca e mendime janë disa nga faktet prej të cilave shihet qartë se inkuadrimi i edukatës seksuale në shkolla është shumë i nevojshëm dhe se organet kompetente duhet të marrin masa të menjëhershme rreth kësaj çështjeje.
“Kur ne nxënësit mësojmë më shumë për riprodhimin e seksualitetin e njerëzve se sa të pulave, atëherë mund të themi se jemi në rregull në këtë aspekt” përmbylli Ema.
*Emri Ema është përdorur për ruajtjen e anonimitetit
Mbi autoren: Dijerrona Jakupi është një vajzë 20 vjeçare nga Prishtina e cila vijon studimet në Universitetin AAB në degën e Komunikimit Masiv.
Ky aktivitet është mbështetur nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar -USAID, dhe mbështetur nga Qendra e Trajnimit dhe Burimeve për Avokim -ATRC.