Image module

INSTITUTI PIKËPAMJA

Instituti Pikëpamja është organizatë që për më shumë se 4 vite rrugëtoi si projekt i Shtatëmbëdhjetë ndërsa që nga viti 2023 funksionon si entitet i pavaruar në Kosovë.

Pikëpamja ka për qëllim të ofroj praktika që inkurajojnë dhe fuqizojnë vajzat dhe djemtë e rinj të përfshihen në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre. Kjo mëtohet të arrihet duke ofruar një platformë përmes së cilës trajtohen çështje që lidhen me nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke u dhënë prioritet të rinjve dhe të rejave e grupeve të margjinalizuara në shoqërinë tonë. E gjithë kjo të arrihet përmes serive të bisedave me aktivistë/e, programit të filmave të animuar në bashkëpunim me Anibar, netëve të poezisë dhe punëtoritë e modulit bazik dhe modulit të avancuar. Ky i fundit zbatohet në format të Shkollës për Mendim dhe Shkrim Kritik.

Punëtoria e modulit bazik është dizajnuar për nxënës/e prej moshës 15-18 vjeçare dhe ndër të tjera ofron mundësi për zhvillimin e njohurive për katër agjentët kryesor të socializimit, zhvillimin e njohurive për shkrimin argumentativ dhe zhvillimin e njohurive për storytelling, e të tjera. Përgjatë tre ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit/et po ashtu fuqizohen që të adresojnë nevojat dhe shqetësimet e tyre, duke i shtyrë ata/ato që të bëhen agjent për ndryshime pozitive në vendin dhe hapësirën ku jetojnë.

Shkolla për Mendim dhe Shkrim Kritik – Pikëpamja, vjen si nevojë për ofrim të një programi të avancuar për të rinjtë dhe të rejat që duan të përfitojnë aftësi më të thella të trajtimit të çështjeve të ndryshme përmes shkrimit. Shkolla në kuadër të Pikëpamjes është e dizajnuar për student/e prej moshës 19-24 vjeçare dhe ndër të tjera ofron mundësi për zhvillim të njohurive për analizimin e të dhënave të mbledhura për projektin hulumtues, identifikim të problemit hulumtues, teknika dhe strategji të intervistimit, zhvillim të njohurive për citim dhe përpilim të listës së referencave, zhvillim të njohurive për argumentimin dhe kundërargumentimin, etj. Përgjatë pesë ditëve të shkollës pjesëmarrësit/et do të pajisen po ashtu me përmbajtje të avancuar mbi qytetarinë aktive, zhvillimin rinor dhe fuqizimin dhe çështjet sociale.

Krahas punëtorive dhe shkollës, Pikëpamja përmes thirrjeve të hapura ofron mundësi për të gjithë ata/ato që të dorëzojnë poezi shkrime për publikim. Po ashtu edhe mentorim gjatë procesit të shkrimit, dhe secili shkrim përcillet me nga një ilustrim të veçantë për publikim në blog. Në fund të çdo viti kalendarik botohet një përmbledhje në format të libërthit me të gjitha shkrimeve e publikuara në blog gjatë vitit përkatës.